Alimehmeti: Do paraqes kandidaturën për Tiranën. Protestat qytetare, duhet të sjellin reflektim edhe në opozitë

Politikë | 2 muaj më parë

Ilir Alimehmeti nuk i thotë “jo” hyrjes në garën për Bashkinë e Tiranës dhe, për të qenë kandidat, ai shprehet se do të aplikojë pavarësisht zhvillimit të procesit të përzgjedhjes. Emri i Ilir Alimehmetit është përmendur së fundi edhe nga vetë kreu i selisë blu, Sali Berisha, si një figurë e mundshme për garën e Tiranës dhe, i ftuar në studion e RTSH24, ai thekson se çfarëdo lloj procedure të ndiqet, atë nuk e tremb.

“Qofshin primar do futem në primare. Kam treguar që s’e kam problem të hyj. Primare kam bërë dy, edhe listë të hapur. Nuk i trembem votës. Nuk e kam problem pjesën për të hyrë në primare. Po të jetë komision patjetër do aplikojë me procedurën që ata do të caktojnë. Po që forcë, le të themi opozitare që mblidhet bashkë për ta diskutuar, do dërgoj kandidimin tim dhe do vendosin ata”, tha ai.

Ai u ndal edhe te protestat e fundit qytetare, duke i cilësuar si ngjarjet më të rëndësishme të dekadave të fundit dhe duke theksuar se mesazhi i saj duhet të jetë në qendër të diskutimeve politike edhe në muajt në vijim.  Alimehmeti tha se bëhet fjalë për një reagim të qartë qytetar, i cili sipas tij ka dhënë një mesazh të fortë si për qeverinë, ashtu edhe për opozitën.

“Mendoj që është ka qenë një nga ngjarjet më të jashtëzakonshme dhe më të bukura që neve kemi pasur prej shumë dekada ndoshta që nga fillimi i kësaj epokës tonë po themi mbas regjimit. Në këtë aspekt mendoj që ajo duhet të jetë kryefjala e gjithçka që diskutohet gjatë këtyre muajve dhe muajve në vazhdim me shumë mundësi. Mendoj që ka qenë një nga reagimet qytetare më të qarta dhe më brilante që kemi pasur në fushën e qytetarisë dhe politikës. Nga ky aspekt patjetër që kjo le një ndikim të thellë”, u shpreh ai.

Por sipas tij, mesazhi i qytetarëve duhet të shërbejë gjithashtu si pikë reflektimi edhe për opozitën dhe veçanërisht për Partinë Demokratike. Sipas tij, brenda Partisë Demokratike ka nisur të shfaqet një proces reflektimi.

“Ndikimin kryesor e ka s’diskutohet tek qeveria, te mënyra e qeverisjes, tek arroganca e pushtetit e me radhë dhe patjetër ka dhe ndikim tek pjesa opozitare në këtë rend. Vë absolutisht në një lloj, si ta themi, në një lloj pozite dhe gjithë pjesën e opozitës. Pra duhet të reagosh ndaj kësaj, duhet të kesh një reflektim mbi këtë që po kërkojnë njerëzit, se në fund fare i duhet opozitës që të reflektojë çfarë kërkojnë njerëzit, mënyrën si e kërkojnë, metodat e tjerë e të tjera. Pastaj sa njerëz përqafojnë një qëndrim të caktuar e sa përqafojnë një qëndrim tjetër, këto në fund fare vendosen gjithmonë në zgjedhje, por që reflektimi duhet të jetë dhe nga opozita, nga Partia Demokratike mund të flas unë. Edhe kjo është tejet e rëndësishme dhe unë mendoj që një farë reflektimi nën rreshta, mbi rreshta, sipërreshta ka ardhur dhe në Partinë Demokratike”, theksoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme