Situata e zjarreve/ Ministria e Mbrojtjes: 3 vatra aktive dhe 4 në monitorim, situata më problematike në Dajt-Qafë Priskë
27 vatra zjarri janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në vend, 3 prej të cilave janë aktive, ndërsa 4 janë nën mbikqyrje. Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se në operacionin për shuarjen e vatrave të zjarrit janë angazhuar 292 forca operacionale dhe 26 automjete zjarrëfikëse. Në aksion, janë angazhuar gjithashtu dhe Forcat e Armatosura me 80 efektivë dhe 3 hekilopterë.
Ministria informon se vatrat kryesore janë në qarkun Dibër: në Vajkal të Bulqizës ku janë shkrumbuar mbi 18 ha; në Lundre dhe Mallunxë të Matit; si dhe në Dajt-Qafë Priskë ku situata vijon të jetë problematike, por pa rrezik për zonat e banuara.
Sakaq, Ministra sqaron se nën mbikëqyrje janë gjithashtu vatrat në Qafën e Lugut–Vithkuq, malin e Qukësit–Prrenjas dhe Iballë–Fushë-Arrëz, ku kjo e fundit ndodhet në terren shumë të vështirë dhe gjatë ditës së djeshme u ndërhy edhe me helikopter të FA.
Njoftimi i plotë:
Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit (nga ora 09:00 e datës 2 shtator deri në orën 09:00 të datës 3 shtator 2026) janë raportuar 27 vatra, prej të cilave 3 mbeten aktive, 4 janë nën mbikëqyrje dhe 3 janë shuar plotësisht. Në operacionet e shuarjes janë angazhuar gjithsej 292 forca operacionale dhe 26 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 80 efektivë dhe 3 helikopterë. Vatrat kryesore aktive janë të përqendruara në qarkun Dibër: në Vajkal, Bulqizë, ku zjarri ka përshkuar mbi 18 ha dhe sot vijon ndërhyrja me MZSH, forca bashkiake dhe 30 efektivë të FA; në Lundre, Mat, ku zjarri vijon në një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore dhe operacioni mbështetet gjithashtu nga 30 forca të FA; si dhe në Mallunxë, Mat, ku riaktivizimi i zjarrit nga era e fortë e ka orientuar atë drejt fshatrave Mallunxë dhe Lis.
Në Dajt–Qafë Priskë situata vijon të jetë problematike, por pa rrezik për zonat e banuara; sot operacioni vazhdon me mbështetjen e 30 forcave të FA. Nën mbikëqyrje janë gjithashtu vatrat në Qafën e Lugut–Vithkuq, malin e Qukësit–Prrenjas dhe Iballë–Fushë-Arrëz, ku kjo e fundit ndodhet në terren shumë të vështirë dhe gjatë ditës së djeshme u ndërhy edhe me helikopter të FA.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe mjedisit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




