Hetimet për vdekjen e këngëtarit grek Giorgos Mazonakis kthehen në mister. Policia fokusohet te evidencat digjitale

Greqi | 28 minuta më parë

Hetimet për vdekjen e këngëtarit grek Giorgos Mazonakis po marrin dimensione të tjera teksa policia është përqendruar te elementet digjitale të mbledhura, veçanërisht te një nga dy fotografitë që mjekja Ioanna Gaka kishte bërë me Mazonakis dhe që ia kishte dërguar një marrësi të panjohur.

E akuzuara për vdekjen e Mazonakis kishte bërë gjithsej dy fotografi dhe një video.

Të gjitha këto skedarë i fshiu para se të shkonte pasditen e së njëjtës ditë në stacionin e policisë së Kypselis për të dhënë dëshmi.

Fotografia e parë u shkrep në orën 14:43:36 të datës 9 shtator. Skedari u krijua në 14:44:19 dhe u fshi në 19:09:09.

Sipas informacioneve, në një nga dy fotografitë Mazonakis duket i shtrirë në shtratin e klinikës, ndërsa aparati ishte në funksion.

Ai mban një bluzë të verdhë me mëngë të shkurtra, është mbuluar nga mesi e poshtë me batanije dhe ka kokën e kthyer djathtas me sytë e mbyllur.

Në dorën e djathtë dallohen kateterët intravenozë, ndërsa një lidhje e ngjashme duket edhe në të majtën.

Kjo foto përmban edhe të dhëna gjeolokalizimi. Koordinatat e gjetura në metadata korrespondojnë, sipas hetimit të DEE, me një pikë në rrugën Karneadou në Athinë – vendndodhjen e klinikës. Pikërisht për këtë fotografi ekspertët kanë zbuluar gjurmë digjitale të shpërndarjes.

Kjo do të thotë se Gaka e dërgoi skedarin te një marrës i panjohur, i cili nuk mund të identifikohen pa heqjen e sekretit telefonik. Sipas informacioneve deri tani, nuk konsiderohet e sigurt që fotoja t’i jetë dërguar Ilias Theodoropoulosit.

Fotografia e dytë u shkrep në 14:45:22 dhe u krijua si skedar katër sekonda më vonë, në 14:45:26. Edhe ajo u gjet e fshirë. Sipas të dhënave, ai ishte momenti kur Mazonakis filloi plazmaferezën.

Ora e fshirjes ishte 19:09:13 – vetëm katër sekonda pas fshirjes së fotos së parë. Edhe kjo foto kishte të njëjtat koordinata që të çojnë te rruga Karneadou.

Në të njëjtën pajisje u gjet edhe një skedar video i fshirë. Metadata tregojnë se videoja u krijua në 14:43:55 – midis dy fotografive. Edhe ajo u fshi në 19:09:13.Çfarë do të tregojë heqja e sekretit telefonikHeqja e sekretit telefonik konsiderohet tani kritike për këtë pjesë të hetimit. Hetuesit presin që përmes të dhënave të rikuperuara të zbulojnë marrësin e saktë të fotos, aplikacionin përmes të cilit u shpërnda, nëse ka pasur mesazhe shoqëruese, dhe nëse fotoja u përcoll më tej.

Identiteti i marrësit mund të japë një orientim të ri hetimit, veçanërisht nëse lidhet me atë që ndodhte në klinikë në atë kohë.

Rëndësi të madhe ka edhe hapja dhe shqyrtimi i thelluar i telefonave celularë të tre punonjësve të klinikës.

Autoritetet kërkojnë komunikime, mesazhe, thirrje, foto, video dhe çdo gjurmë digjitale që mund të ndihmojë në rikonstruktimin e ngjarjeve.

Interes të veçantë ka nëse ka pasur komunikime me dy mjekët në orët kritike dhe nëse është përhapur i njëjti ose material tjetër audiovizual pas incidentit.

Kontrolli i telefonave mund të shërbejë edhe si mjet verifikimi i gjetjeve nga telefoni i Ioanna Gakës dhe kompjuteri i klinikës.

Paralelisht, autoritetet po shqyrtojnë gjithnjë e më me kujdes mundësinë që Mazonakisit t’i jetë administruar ndonjë substancë para ose gjatë plazmaferezës.

Deri tani nuk është identifikuar asnjë ilaç ose substancë e caktuar, ndërsa përgjigje kritike priten nga analizat toksikologjike.

Nëse konfirmohet përdorimi i një substance të kategorisë që po hetohet, administrimi i saj duej të bëhej në kushte të caktuara mjekësore dhe me praninë e kardiologut dhe anesteziologut.

Dëshmia e mjekes së akuzuar Ioanna Gaka

Mjekja Ioanna Gaka, e cila së bashku me bashkëshortin e saj Ilias Theodoropoulos ndodhet në qendër të hetimit për vdekjen e këngëtarit Giorgos Mazonakis, qëndroi rreth 8 orë në zyrën e hetuesit.

Menjëherë pas përfundimit të dëshmisë, hetuesi dhe prokurori do të vendosin nëse do të procedojnë me paraburgim apo jo.

Të dy të akuzuarit përballen me akuzën e vrasjes me dashje – një vepër penale që në rast dënimi parashikon edhe burgim të përjetshëm.

Gjatë dëshmisë së saj mjekja – e cila që nga fazat e para të hetimit është në qendër të dosjes, pasi ishte ajo që kishte marrë përsipër “terapinë” e caktuar – thuhet se ka refuzuar plotësisht akuzën, duke mohuar se ka pasur ndonjë veprim të paligjshëm nga ana e saj.

Hetuesi i ka kushtuar vëmendje të veçantë intervalit prej 49 minutash që ndërhyri nga shenja e parë e alarmit deri në thirrjen e shërbimit të urgjencës.

Ky moment ndodhet nën lupën e autoriteteve, pasi në dosje përfshihen të dhëna digjitale që dokumentojnë funksionimin e aparatit të plazmaferezës dhe, ndër të tjera, orën kur u regjistrua alarmi i parë.

E akuzuara thuhet se ka këmbëngulur se veproi sipas ligjit dhe ndërmori të gjitha masat e parashikuara.

Për më tepër, ajo refuzoi akuzat dhe theksoi se klinika e rrugës Karneadou funksiononte plotësisht ligjërisht.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme