Hashim Thaçi reagon pas dënimit në Hagë, bën thirrje për qetësi dhe apelim ndaj aktgjykimit të Shkallës së Parë

Kosovë | 2 orë më parë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar zyrtarisht një ditë pas vendimit të shkallës së parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, i cili dënoi me një total prej 81 vitesh burgim katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Përmes një deklarate të shpërndarë në rrjetin social X nga avokati i tij kryesor, Thaçi ka shprehur falënderimet për mbështetjen e marrë dhe ka bërë me dije se ekipi i tij mbrojtës po përgatit dorëzimin zyrtar të Njoftimit të Apelit.

Në mesazhin e tij drejtuar opinionit publik, ish-kreu i shtetit u bën thirrje qytetarëve që të ruajnë maturinë përballë këtij zhvillimi gjyqësor.

“Hashim Thaçi dëshiron të shprehë mirënjohjen e tij të sinqertë për mbështetjen e madhe që ai, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë marrë nga populli i Kosovës dhe nga komuniteti ndërkombëtar, dhe u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të mbeten paqësorë në përgjigje të padrejtësisë së djeshme”, theksohet në postimin e avokatit të tij.

Mbrojtja e Thaçit: Shkelje procedurale, gabime ligjore dhe mungesë paanshmërie

Ekipi mbrojtës i z. Thaçi bën të ditur se do ta kundërshtojë aktgjykimin pranë Panelit të Apelit, duke pretenduar se vendimi përmban shkelje përmbajtësore që kanë cenuar të drejtën për një proces të rregullt ligjor.

“Avokatët e z. Thaçi do ta apelojnë Aktgjykimin e djeshëm të Shkallës së Parë pranë Panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), duke pretenduar se ka pasur gabime të rëndësishme në ligj dhe në fakte, të cilat kanë cenuar drejtësinë e procesit gjyqësor”, sqarohet në deklaratë.

Sipas mbrojtjes, gjatë gjithë zhvillimit të seancave janë ngritur shqetësime serioze për ndërhyrjet e trupit gjykues.

“Mbrojtja qëndron në qëndrimin se ndërhyrjet gjyqësore kanë tejkaluar kufirin e kërkimit neutral të së vërtetës, duke cenuar përshtypjen e paanshmërisë që kërkohet sipas standardeve ndërkombëtare të drejtësisë”, nënvizohet më tej, duke shtuar se gjetjet për fajësinë mbështeten në prova të pamjaftueshme.

Shqetësimet mbi rastin “Allaqi” dhe provat e konfidenciale

Një pikë kyçe në reagimin e mbrojtjes së z. Thaçi ndërlidhet me deklarimet e trupit gjykues lidhur me akuza specifike, për të cilat pretendon se provat u mbajtën jashtë vëmendjes publike. “Dje Paneli i Gjykimit deklaroi publikisht se z. Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Behajdin Allaqit, pasi më parë kishte urdhëruar të gjitha palët në këtë çështje që të mos diskutonin publikisht rastin e z. Allaqit në seancat gjyqësore dhe pasi kishte urdhëruar që të gjitha provat lidhur me këtë rast të mbaheshin konfidenciale”, citohet nga reagimi.

Mbrojtja nënvizon se z. Thaçi mohon kategorikisht çdo përfshirje në këtë vrasje dhe se është në interesin e tij që çdo e dhënë t’i nënshtrohet shqyrtimit transparent.

“Kësisoj, Paneli i Gjykimit e ka shpallur publikisht fajtor z. Thaçi për një vrasje, ndërkohë që provat mbi të cilat është mbështetur ky përfundim janë mbajtur të fshehura nga shqyrtimi publik. Z. Thaçi do ta mirëpriste një shqyrtim të tillë publik të provave.”, thekson ekipi Mbrojtës i Hashim Thaçit.

Deklarata përmbyllet me paralajmërimin se mbrojtja do t’i apelojë vendimet për shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutës së Kosovës, duke e konsideruar respektimin e standardeve procedurale si thelbësor për besueshmërinë e drejtësisë penale ndërkombëtare.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme