NBA/ Luka Doncic mezi pret të udhëheqë Lakers, tani pa legjendarin LeBron James

Basketboll | 49 minuta më parë

Lideri i Lakers, Luka Doncic, ka thënë se mezi po pret të marrë “udhëheqjen” e skuadrës pas largimit të LeBron James drejt Philadelphia. “Është një sfidë e re, natyrisht. Por kam qenë shpesh në këtë situatë, që kur kam qenë i ri, kështu që nuk është diçka e re. Ndihem mirë, jam gati dhe mezi po pres”, – është shprehur 27-vjeçari slloven.

Doncic nuk luan në NBA që nga dëmtimi në fillim të prillit kundër Thunder. I transferuar në California në shkurt të 2025-ës, pas një qëndrimi të gjatë në Dallas, Doncic duhet të menaxhojë sa më mirë trashëgiminë e lënë nga LeBron James.

Slloveni ka pasur një mesatare prej 33 pikësh për ndeshje sezonin e kaluar, para se të dëmtohej. Sezonin e ri Doncic mund të mbështetet te Austin Reaves dhe disa lojtarë të rinj të ardhur në skuadër, mes të cilëve Walker Kessler nga Utah Jazz. “Është një vlerë e shtuar për ne. Ai mbron rrethin, por ka bërë edhe një progres të jashtëzakonshëm në aspektin ofensiv. Do të na ndihmojë shumë”, – theksoi Doncic. Më 21 tetor Lakers do të nisin sezonin kundër Golden State Warrior.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme