Rindërtimi në Lezhë, 783 familje përfitojnë fonde/Nisin pagesat dhe rikonstruksioni i banesave të dëmtuara nga tërmet

Sociale | 49 minuta më parë

783 familje në Lezhë, banesat e të cilave u dëmtuan nga tërmeti i nëntorit 2019, pritet të përfitojnë brenda muajit nëntor fondet për rikonstruksionin e shtëpive, sipas akteve të konstatimit. Nga kjo e hënë ka nisur edhe nënshkrimi i kontratave me familjet përfituese, ndërsa paralelisht vijojnë procedurat për familjet që ende nuk e kanë përfunduar procesin e rindërtimit. Nënkryetari i Bashkisë Lezhë, Fatjon Zefi, bëri të ditur se aktualisht janë rreth 60 familje që presin akt-ekspertizën e thelluar, ndërsa përgjigjet pritet të mbërrijnë gjatë kësaj jave.

“Një numër i konsiderueshëm banesash të dëmtuara, të cilat nuk kanë marrë trajtim deri në ditën e sotme, por me një vendim të ri nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë alokuar fondet për këto familje. Bëhet fjalë për 783 familje, të vlerësuara me shkallët e dëmtimeve DS1, DS2 dhe DS3, përkatësisht 100 mijë lekë, 250 mijë lekë dhe 500 mijë lekë të reja”, u shpreh Fatjon Zefi, nënkryetar i Bashkisë Lezhë.

Në pritje është edhe zgjidhja për rreth 50 banesa të tjera, për të cilat nevojitet vendimi i qeverisë për të vijuar me pagesat, pasi rritja e kostove të ndërtimit ka sjellë nevojën për shtimin e fondeve që do të mbulohen nga bashkia.

“Kemi edhe rreth 60 banesa të tjera, të vlerësuara nga inxhinierët e bashkisë me shkallë dëmtimi DS4 dhe DS5, të cilat janë në Institutin e Ndërtimit për vlerësimin e ekspertizave të thelluara. Me informacionet që kemi marrë, besojmë se brenda kësaj jave do të vijnë ekspertizat e fundit dhe më pas ne do t’i drejtohemi Këshillit Bashkiak për miratimin e këtyre familjeve përfituese”, tha ai.

Me përfundimin e këtyre procedurave, synohet që edhe familjet e mbetura të përfshihen në proces dhe të marrin mbështetjen financiare për rikonstruksionin ose rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti, duke i dhënë fund procesit te rindërtimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme