Vizita e Von der Leyen në Tiranë, ambasadorja e BE-së: “Qëllimi është afër”, Shqipëria ndër vendet pararendëse të integrimit

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka dhënë një vlerësim pozitiv për ecurinë e vendit në procesin e integrimit evropian, pas vizitës zyrtare të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Tiranë. Përmes një mesazhi publik, diplomatja e BE-së falënderoi autoritetet shqiptare për mikpritjen dhe nënvizoi se progres i arritur është rezultat i përpjekjeve të gjata shoqërore.
Sipas saj, Shqipëria është pozicionuar tashmë mes vendeve që po udhëheqin procesin e anëtarësimit në familjen evropiane.
“‘Qëllimi është tashmë afër’, tha Presidentja von der Leyen, dhe Shqipëria është ndër vendet pararendëse të procesit të anëtarësimit. Ky është rezultat i viteve të tëra pune të palodhur nga shqiptarët,” theksoi ambasadorja Moreira de Sousa.
Sfidat e fazës përfundimtare, drejtësia, zgjedhjet dhe mjedisi
Ndërsa procesi po i afrohet etapave përmbyllëse, përfaqësuesja e BE-së vuri theksin te detyrat dhe reformat që kërkojnë përqendrim maksimal nga të gjitha palët. Faza e fundit e negociatave u cilësua si më kërkuesja, duke kërkuar angazhim gjithëpërfshirës politik dhe dialog me shoqërinë civile duke theksuar se “siç theksoi Presidentja, kjo kërkon angazhim të sinqertë të të gjithë aktorëve politike dhe një dialog të fortë e të vazhdueshëm me shoqërinë”.
Fushat kyçe ku kërkohet përparim i mëtejshëm përfshijnë “forcimi i drejtësisë dhe shtetit të së drejtës, kuadrit zgjedhor dhe mbrojtja e natyrës së jashtëzakonshme të Shqipërisë”.
Ndikimi i investimeve të BE-së, model i programit “EU4Schools”
Në mesazhin e saj, ambasadorja veçoi si një nga momentet më domethënëse të vizitës ndalimin në shkollën “Emin Duraku” në kryeqytet, një nga objektet e arsimit të rindërtuara pas tërmetit shkatërrues të vitit 2019.
Përmes programit financues “EU4Schools”, Bashkimi Evropian ka mundësuar rindërtimin ose rinovimin e 63 shkollave në të gjithë vendin.
“Fëmijët që mësojnë sot në këto shkolla janë arsyeja pse kjo punë ka kaq shumë rëndësi. Kur Shqipëria të anëtarësohet, do ta bëjë edhe Unionin tonë më të fortë,” përfundoi deklaratën e saj ambasadorja Moreira de Sousa.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



















