Berisha takon Sekretaren e Përgjithshme të KiE-së: Ndryshimet në Kodin Penal t’i nënshtrohen ekspertizës së Venecias

Politikë | 43 minuta më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim në Strasburg me Sekretaren e Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Despina Chatzivassiliou, ku në fokus të diskutimeve ishin zhvillimet e fundit ligjore në Shqipëri dhe paketa e propozuar e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale.

Pas takimit, Berisha deklaroi se i ka paraqitur palës europiane shqetësimet e opozitës lidhur me ndryshimet e propozuara, duke argumentuar se ato mund të ndikojnë në mënyrën e administrimit dhe vlerësimit të provave në proceset hetimore.

“Me këtë paketë, përveçse përjashton dënimet me burg në masat nën pesë, nën pesë vite dënim, Edi Rama kërkon me çdo kusht të zhvlerësojë provat me ligj, të zhvlerësojë provat që janë të, të gjetura në aparatet celulare, të zhvlerësojë provat të cilat janë të gjetura në, në vende të ndryshme.Rikujtova se këto, kjo përpjekje është në kundërshtim flagrant me Gjykimin e Strasburgut dhe Gjykatën Franceze të cilat regjistrimet që gjetën për bandat i kanë quajtur të vlefshme dhe plotësisht të përdorshme. Pra, atë që, atë që s’arritën ta bëjnë me presione mbi drejtësinë, tani kërkojnë ta bëjnë me ligj.

Ai bëri të ditur se ka kërkuar që paketa të mos miratohet pa një shqyrtim të specializuar dhe t’i nënshtrohet ekspertizës së Komisionit të Venecias.

Sipas Berishës, gjatë bisedës me Sekretaren e Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës është sqaruar se paketa e ndryshimeve nuk është hartuar, sugjeruar apo miratuar nga ekspertët e Këshillit të Europës.

“Sekretarja e Përgjithshme më siguroi se Këshilli i Europës dhe ekspertët e tij nuk e kanë miratuar këtë paketë dhe se ajo nuk është e sugjeruar apo e hartuar nga specialistët e institucionit”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së theksoi gjithashtu se do të vijojë komunikimi me institucionet e Këshillit të Europës lidhur me zhvillimet ligjore dhe institucionale në Shqipëri.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme