Festivali i riteve në Gjirokastër, këngë dhe zakone që rikthyen trashëgiminë kulturore

Kulturë | 25 minuta më parë

Edicioni i shtatë i Festivalit të Riteve u zhvillua për herë të parë në zonën historike të qytetit, në Ditën e Trashëgimisë Kulturore. Rreth dhjetë grupe nga treva të ndryshme të Shqipërisë, por edhe nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora, sollën rite, këngë e tradita të komuniteteve të tyre.

“Është një event i veçantë, sepse edhe vetë ritet janë vlera të veçanta të trashëgimisë kulturore. Ato përgjithësisht qëndrojnë të heshtura, por në gjirin e njerëzve të thjeshtë ato gjithmonë marrin kuptim dhe interpretohen nga të gjitha moshat”, u shpreh Engjellush Seriani, Drejtor i festivalit.

Në fokus të këtij edicioni ishin pikërisht ritet, një pjesë e trashëgimisë që në shumë zona është zbehur me kalimin e kohës. Përmes festivalit, ato rikthehen në vëmendjen e publikut dhe marrin mundësinë të përcillen te brezat e rinj.

“Këto kohët e fundit, ne po shikojmë që shumë familje po ripërtërijnë traditat dhe zakonet. Kjo po vihet re te përdorimi në masë i kostumeve popullore, pas një periudhe kohore kur ato shkuan drejt zhdukjes. Pothuajse në çdo familje, flas për zonën time, në krahina apo në fshatrat e Tiranës, po ruhen tradita nga më të ndryshmet”, tha Ilir Selfa, Drejtor i Ansamblit “Tirana”.

Por këtë herë, festivali nuk kishte vetëm publikun vendas. Turistët që vizitojnë Gjirokastrën u ndalën për të ndjekur shfaqjet dhe për të njohur nga afër ritmet e traditave shqiptare.

Interesimi i tyre është një tjetër dëshmi se trashëgimia kulturore mund të jetë pjesë e rëndësishme e përvojës turistike. Në një qytet ku historia është pjesë e përditshmërisë, këto rite i japin jetë edhe një herë kujtesës së komuniteteve.

Festivali i Gjirokastrës mbylli kështu një tjetër edicion, duke sjellë në skenë jo vetëm folklorin, por edhe histori, zakone dhe mënyra jetese që rrezikojnë të humbasin nëse nuk përcillen te brezat e rinj.

Gazetare: L. Koçiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme