Vijojnë gërmimet në Amfiteatrin e Durrësit, arkeologët shqiptarë dhe italianë kërkojnë gjurmë të reja historike
Gjurmët e Durrësit mesjetar po dalin sërish në dritë. Prej tri javësh, arkeologët shqiptarë dhe italianë po zhvillojnë gërmime në Amfiteatrin Antik të Durrësit, në kuadër të ekspeditës së përbashkët arkeologjike. Kërkimet synojnë të zbulojnë më shumë mbi transformimet që ka pësuar monumenti ndër shekuj, me fokus të veçantë te periudha e antikitetit të vonë dhe fazat e hershme të mesjetës.
“Puna jonë është përqendruar më së shumti në galeritë që shikoni këtu, në tre galeri kryesore, ku po gërmohen faza të ndryshme të periudhës së Mesjetës së Hershme deri në Antikitetin e Vonë. Punimet janë në fazën thuajse të fundit të periudhës së Mesjetës dhe më poshtë kemi dëshmi të fazave të Antikitetit të Vonë”, u shpreh arkeologia, Elvana Metalla.
Tre galeri në pjesën jugore të Amfiteatrit të Durrësit janë aktualisht në fokus të arkeologëve, të cilët përmes gërmimeve po përpiqen të rindërtojnë fazat e ndryshme të zhvillimit të monumentit dhe lidhjen e tyre me historinë e qytetit. Gjurmët e periudhave mesjetare pritet të sjellin të dhëna të reja mbi transformimin dhe përdorimin e Amfiteatrit ndër shekuj. Këto kërkime zhvillohen në kuadër të bashkëpunimit arkeologjik shqiptaro-italian, të nisur në vitin 2004, ku marrin pjesë edhe studentë shqiptarë e italianë në gërmime dhe dokumentimin e zbulimeve.
“Objektivi ynë ka qenë zbulimi i të gjithë fazave mesjetare të amfiteatrit dhe vazhdimi i punës sonë konsiston në sqarimin e transformimeve të mëdha që kanë ndodhur në amfiteatër”, tha ajo.
Ekspedita “Durrësi Mesjetar” do të vijojë punën në galeritë e Amfiteatrit, me synimin për të nxjerrë në dritë dëshmi të reja për historinë e monumentit dhe të vetë qytetit të Durrësit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





