Gjermani, arrestohet ish-kreu i inteligjencës për spiunazh

Autoritetet gjermane kanë arrestuar ish-kreun e Shërbimit Federal të Inteligjencës (BND), August Hanning, dhe ish-bashkëpunëtorin e tij Manfred D., nën dyshimet për spiunazh dhe transmetim të informacioneve të klasifikuara. Prokuroria Federale Gjermane njoftoi se arrestimet janë kryer më 6 tetor, në kuadër të një hetimi për vepra të rënda që lidhen me spiunazhin dhe tradhtinë.
Hanning u arrestua në Bavari, ndërsa Manfred D. në Nordrhein-Westfalen. Në të njëjtën kohë, autoritetet kryen kontrolle në banesat dhe ambientet e të dyshuarve, përfshirë edhe në Berlin. Sipas hetuesve, Hanning dyshohet për spiunazh ndaj interesave të shtetit, zbulim të sekreteve shtetërore, tentativë për tradhti dhe spiunazh. Manfred D. dyshohet se ka ndihmuar në kryerjen e këtyre veprave.
Hetimet përqendrohen në një marrëveshje të dyshuar mes dy personave, e cila, sipas Prokurorisë, është bërë në vitin 2010. Manfred D., i cili kishte qasje në dokumente konfidenciale për shkak të detyrës së tij në BND, dyshohet se i ka dorëzuar Hanningut në mënyrë të përsëritur informacione të klasifikuara, në këmbim të pagesave. Autoritetet besojnë se gjatë viteve Hanning ka marrë rreth 2 mijë dokumente, një pjesë e konsiderueshme e të cilave përmbanin informacione sekrete të Shërbimit Federal të Inteligjencës.
Sipas akuzave, disa prej këtyre materialeve janë përdorur nga Hanning në aktivitetin e tij privat të konsulencës. Prokuroria dyshon gjithashtu se ai ka ndarë informacione me përfaqësues të shërbimeve të huaja të inteligjencës. August Hanning ka drejtuar BND-në nga viti 1998 deri në vitin 2005. Më pas, ai ka shërbyer si sekretar shteti në Ministrinë e Brendshme të Gjermanisë.
Manfred D. ka mbajtur për vite me radhë pozita të rëndësishme në BND dhe ka shërbyer si shef i stafit të disa drejtuesve të këtij shërbimi. Hetimi nisi pas një kontrolli të kryer në ambientet e Hanningut në shtator të vitit 2025. Në maj të vitit 2026, çështja iu kalua Prokurorisë Federale, e cila e ka zhvilluar hetimin në bashkëpunim me BND-në dhe Zyrën Federale të Policisë Kriminale. Të dyshuarit pritet të dalin para gjyqtarit hetues në Gjykatën Federale të Drejtësisë, i cili do të vendosë edhe për masën e paraburgimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




