Kuvendi rrëzon interpelancën e PD me Ramën për ish-kreun e SHISH, Bardhi: Turp! Refuzoni çdo kërkesë tonën. Kryeministri duhet të jap llogari
Kuvendi ka rrëzuar me 76 vota kundër dhe 30 pro kërkesën e Partisë Demokratike për një interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama lidhur me emërimin dhe drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) nga Vlora Hyseni.
Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, argumentoi se kërkesa e opozitës tejkalon natyrën dhe qëllimin e një interpelance parlamentare, pasi përmban pyetje që lidhen me veprimtarinë e institucioneve të inteligjencës dhe sigurisë, si dhe me organet e hetimit.
“Nga shqyrtimi i kërkesës vlerësohet se objekti dhe përmbajtja e saj tejkalojnë natyrën dhe qëllimin e një interpelance parlamentare. Kërkesa përmban një numër pyetjesh që lidhen me veprimtarinë e institucioneve të inteligjencës dhe sigurisë, si dhe me veprimtarinë e organeve të hetimit. Një pjesë e këtyre informacioneve i nënshtrohen regjimit të informacionit të klasifikuar. Për këtë arsye, kërkesa nuk është pranuar”, tha Peleshi.
Kundër vendimit reagoi kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili e cilësoi si të papranueshëm refuzimin e interpelancës, duke theksuar se kjo është hera e 11-të që opozitës i refuzohet një interpelancë me kryeministrin.
Bardhi tha se Rama duhet të paraqitet në Kuvend për të dhënë llogari mbi arsyet e propozimit të Vlora Hysenit në krye të SHISH-it. Bardhi akuzoi mazhorancën se refuzimi i interpelancës dhe paraqitja e kryeministrit në Kuvend për të dhënë llogari lidhen me përgjegjësinë e tij për çështjen.
“Kjo është interpelanca e 11-të që ju refuzoni të sillni këtu Kryeministrin dhe është turp që e keni shndërruar kryeministrin në karton që vjen sa herë ju nevojitet vota e tij për të bërë shumicën e nevojshme për të kaluar një ligj. Kryeministri duhet të jetë këtu për të dhënë llogari pse propozoi Vlora Hysenin për shefe të SHISH-it. Kjo nuk ka të bëjë as me informacione të klasifikuara, as me informacione të NATO-s, as me sekretet shtetërore, por ka të bëjë me llogaridhënien dhe përgjegjësinë: pse e propozoi Vlora Hysenin? Ç’lidhje ka SPAK-u me hetimet administrative që duhet t’i zhvillojë Kuvendi se si është emëruar, si është sjellë në detyrë dhe a ka sjellë dëme të pariparueshme për sigurinë kombëtare? A nuk duhet të vijë Kryeministri të japë llogari për këtë, kur e ka detyrim kushtetues? Fakti që vjen sot për të dhënë llogari, do të thotë që pranon fajësinë”, tha Bardhi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




