Shkolla “Antoni Athanas” hap degën e Logjistikës/Programi katërvjeçar ndërthur teorinë me praktikën, 42 nxënës regjistrohen këtë vit
Përgatitja profesionale nuk përfundon vetëm në klasë. Në shkollën “Antoni Athanas” në Sarandë, nxënësit do të kenë mundësinë të ndërthurin njohuritë teorike me përvojën praktike në biznes, përmes një kualifikimi të ri në logjistikë.
Programi do të zgjasë katër vite. Sipas drejtoreshës Rudina Liçaj, viti i parë do të zhvillohet në shkollë, ndërsa tre vitet e tjera do të kombinojnë mësimin me praktikën në biznese.
“E re në këtë vit shkollor është miratimi i një kualifikimi të ri në sistemin dual, atë të logjistikës. Është një program katërvjeçar, ku nxënësi në vitin e parë do të jetë në shkollë, ndërsa në tre vitet e tjera do të kombinojë mësimin në shkollë me atë në biznes. Ai do të jetë një nxënës që mëson profesionin dhe do të jetë i punësuar në biznes”, u shpreh drejtoresha e shkollës, Rudina Liçaj.
Përveç kualifikimit të ri, shkolla regjistron këtë vit 42 nxënës të rinj. Sipas drejtoreshës, interesi për arsimin profesional është më i lartë krahasuar me vitet e mëparshme.
“Nga transferimet që kemi nga gjimnazet dhe shkollat e tjera, mendoj se, sa më shumë rriten, aq më shumë e kuptojnë se shkolla profesionale është zgjedhja e duhur. Kjo lidhet edhe me rritjen e ndërgjegjes qytetare, sepse në vendet e zhvilluara dihet që arsimi profesional përbën 50% e madje edhe mbi 50% të arsimit parauniversitar”, tha ajo.
Ndërthurja e mësimit me përvojën në biznes synon t’i përgatisë nxënësit për kërkesat e tregut të punës dhe t’u japë atyre mundësinë të fitojnë aftësi konkrete për profesionin që zgjedhin.
Me kualifikimin e ri në logjistikë dhe modelin dual të të nxënit, shkolla “Antoni Athanas” synon të afrojë formimin profesional me praktikën e punës, duke krijuar më shumë mundësi për të rinjtë që zgjedhin këtë drejtim.
Gazetare: B. Gjyli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




