Delegacioni i BE-së reagon për protestat në Tiranë: Të ushtrohen në mënyrë paqësore, hetime për akuzat për dhunë policore

Politikë | 1 orë më parë

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka shprehur shqetësim për përshkallëzimin e dhunës gjatë protestave në Tiranë, duke kërkuar hetim me përparësi të akuzave për përdorim të tepruar të forcës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve.

Përmes një postimi në rrjetin social X, delegacioni i BE-së thekson se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.

“Ne shprehim shqetësim për përshkallëzimin e dhunshëm në protestën në Tiranë. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore”, thuhet në reagimin e delegacionit.

Më tej, përfaqësuesit e BE-së nënvizojnë se i marrin parasysh akuzat për dhunë të tepruar nga ana e policisë ndaj protestuesve dhe gazetarëve.

“Ne presim që veprimi i policisë të jetë proporcional dhe të respektojë të drejtat themelore dhe presim që këto raste të hetohen si çështje prioritare”, theksohet në reagim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme