Chivu: Kështjella u shemb në Champions, por nuk duhet të qajmë! Pres reagimin e skuadrës

Futboll Bota | 1 orë më parë

Trajneri i Interit foli në prag të ndeshjes në “Dall’Ara” me Bologna-n, pas mbrëmjes për t’u harruar ndaj Brugge në mesjavë.

Cristian Chivu, trajneri i Interit, mjekon plagët pas humbjes së rëndë në Champions dhe e konsideron ndeshjen me Bologna-n një pikë të rëndësishme të sezonit. “Është një kompeticion tjetër pas 4 ditësh. Kush ka luajtur, ka pasur kohë të rikuperohet.

Kemi problemin e kapitenit Lautaro Martinez, që e zbuluam pas ndeshjes se do të qëndrojë jashtë disa javë. Marrim përsipër përgjegjësitë tona, e dimë që diçka nuk funksionoi, por të tjerat po, nga nisja e ndeshjes te 2-1. Pastaj kështjella u shemb kur pësuam golin e dytë. Ishin dy ndeshje në një. Duhet të reagojmë, askush nuk na pret dhe nuk kemi kohë të qajmë”, – ka thënë trajneri zikaltër në konferencë shtypi.

“Çfarë duhet të ndryshojmë? Përgjegjësi i parë jam unë. Duhet të jemi të gjithë në të njëjtin mendim. Duhet të marrim përgjegjësitë, por gjithçka nis nga unë. Kam një grup fantastik, besoj thjesht duhet të lidhemi gjatë ndeshjes. Nuk duhet ta bëjmë dramë një humbje në Champions.

Na dhemb, sepse kishte pritshmëri, por duhet thënë se ata u treguan të zotët. Ramë mendërisht dhe nuk reaguam, pati edhe konfuzion. Jemi të ndërgjegjshëm për forcën tonë dhe për atë që duam të bëjmë në Champions. Le ta shohim si një episod, edhe pse një humbje e tillë krijon zhurmë. Duhet të përmirësojmë disa detaje të vogla. Problemi ynë lidhej edhe me presionin individual e jo të grupit. Duhet të përmirësojmë energjitë dhe komunikimin.

Mbrojtja? Ne kemi principet, nevojitet e njëjta ide për të bërë të njëjtat gjëra. Na duhet të maturohemi nga kjo pikëpamje, të gjithë lojtarët duhet të jenë në një linjë. Lautaro? Nuk jam mjek, më kanë thënë se do ta shohin sërish pas ndërprerjes së kampionatit. Provedel ka vlerësimin tim, do të na japë një dorë këtë sezon. Secili lojtar ka përgjegjësinë të tregojë lidershpin”, – ka shtuar më tej Chivu.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme