Merz paralajmëron nga Seuli: Dërgimi i trupave koreanoveriore në Rusi kërcënon lirinë e Evropës

Botë | 2 orë më parë

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, deklaroi të enjten gjatë një vizite zyrtare në Azinë Lindore se Koreja e Veriut përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për “lirinë në të gjithë Evropën”, për shkak të dërgimit të ushtarëve verikoreanë për të luftuar në krah të forcave ruse në Ukrainë.

Pas bisedimeve dypalëshe në Seul me Presidentin e Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, Kancelari gjerman nënvizoi se bashkëpunimi ushtarak mes Phenianit dhe Moskës është i ndërsjellë, me Rusinë që furnizon Korenë e Veriut me armatime dhe teknologji.

Në fjalën e tij, Merz nënvizoi ndërlidhjen e ngushtë gjeopolitike mes dy rajoneve, duke u shprehur se kjo marrëveshje dëshmon se si “siguria e Koresë ndikon në sigurinë e Evropës. Dhe siguria e Evropës ndikon gjithashtu në sigurinë e Koresë”.

Aksi Phenian-Moskë dhe tensionet rajonale

Lidhjet ushtarake mes Koresë së Veriut dhe Rusisë janë intensifikuar ndjeshëm që nga fillimi i pushtimit të armatosur të Ukrainës në vitin 2022. Sipas të dhënave të inteligjencës nga Koreja e Jugut, përveç furnizimit masiv me municione dhe raketa artilerie, Pheniani ka dislokuar rreth 15,000 ushtarë në front. Në këmbim të këtij mbështetjeje njerëzore dhe ushtarake, Moska po ofron asistencë financiare, teknologji ushtarake të përparuar dhe garanci sigurie.

Tensionet në rajon u pasqyruan edhe në terren pak përpara mbërritjes së Kancelarit gjerman në Seul. Sipas ushtrisë jugkoreane, Koreja e Veriut kreu një provokim të ri ushtarak duke lëshuar rreth 10 raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi drejt Detit të Japonisë.

Thellimi i bashkëpunimit strategjik dhe vizita në DMZ

Në pjesën e parë të vizitës, Merz shprehu shpresën për një bashkim të ardhshëm të Gadishullit Korean, i cili mbetet i ndarë përgjatë paralelit të 38-të që nga përfundimi i luftimeve në Luftën e Koresë në vitin 1953.

Gjatë takimit zyrtar, Merz dhe Presidenti Lee ranë dakord për një seri masash për thellimin e partneritetit strategjik dhe të sigurisë mes Gjermanisë dhe Koresë së Jugut. Protokolli i ri i bashkëpunimit parashikon zhvillimin e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake si dhe rritjen e shkëmbimit të të dhënave të inteligjencës.

Udhëtimi zyrtar i Kancelarit gjerman në Korenë e Jugut pritet të përmbyllet të premten me një vizitë me peshë simbolike në Zonën e Demilitarizuar (DMZ), që ndan dy koretë.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme