Meloni: Nuk pendohem për afërsinë me Trump, mbrojta interesat kombëtare të Italisë

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka deklaruar se nuk pendohet për afërsinë e saj me presidentin amerikan Donald Trump në fillim të mandatit të tij të dytë, duke theksuar se veprimet e saj kanë qenë të diktuara nga mbrojtja e interesave kombëtare të Italisë.
Në një intervistë për median publike italiane RAI, Meloni u shpreh se qasja e saj ndaj Trump rezultoi e dobishme jo vetëm për Italinë, por edhe për vendet e tjera evropiane.
“Nuk pendohem për afërsinë time me Presidentin Trump në fillim të mandatit të tij të dytë. Mbrojta interesat tona kombëtare. Ishte një qëndrim që ishte veçanërisht i dobishëm dhe i vlerësuar nga shumë vende evropiane”, deklaroi ajo.
Kryeministrja italiane theksoi se qëndrimi i saj ndihmoi në ruajtjen e dialogut euroatlantik edhe në periudha të vështira marrëdhëniesh mes partnerëve perëndimorë.
Sipas Melonit, kjo qasje kontribuoi gjithashtu në rikthimin e NATO-s në rolin dhe dimensionin e saj të duhur në kuadër të sigurisë euroatlantike.
“Ndiqmja e këtij kursi kontribuoi në mbajtjen e hapur të dialogut euroatlantik, edhe në fazat e mungesës më të madhe të mirëkuptimit, si dhe në kthimin e NATO-s në dimensionin e saj të duhur”, tha ajo.
Meloni kujtoi gjithashtu se ishte kritikuar edhe për marrëdhëniet e mira me ish-presidentin amerikan Joe Biden.
“Kisha një marrëdhënie të mirë me Bidenin, por edhe për këtë u kritikova”, nënvizoi kryeministrja italiane.
Duke komentuar gjendjen ekonomike të Italisë, Meloni u ndal te treguesit fiskalë të vendit. Ajo tha se, sipas Institutit Kombëtar të Statistikave të Italisë (Istat), raporti mes deficitit publik dhe Prodhimit të Brendshëm Bruto është rreth 3.08%, ndërsa agjencitë kryesore të vlerësimit dhe institutet e njohura të kërkimit ekonomik vlerësojnë se ky tregues ka rënë tashmë nën nivelin 3%.
Sipas saj, këto të dhëna dëshmojnë përmirësimin gradual të situatës fiskale dhe stabilitetin ekonomik të Italisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




