Trupi i kryepeshkopit Anastas mbërrin në Gjirokastër, mbahet mesha e përshpirtjes

Mëngjesin e kësaj të marte na pika kufitare e Kakavijës mbërriti trupi i kryepeshkopit Anastas, një figurë e rëndësishme e Kishës Ortodokse Autoqefale në vend dhe një kontribues i shquar në jetën shpirtërore e sociale të popullit shqiptar.
Në vijim, kortezhi i tij kaloi të gjitha fshatrat e Dropullit, me një ndalesë të shkurtër në fshatin Derviçan, ku banorët e pritën me gjethe dafine.
Trupi i tij është pritur në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Gjirokastër, ku besimtarët kanë shprehur nderimin dhe mirënjohjen për veprat e tij.
“Për ne është një hidhërim shumë i thellë dhe një dhembje shumë e madhe, sepse vetë personaliteti i kryepeshkopit ishte shumë i madh, shumëdimensional, shpirtëror e akademik, një njeri i dijes, por mbi të gjitha njeri i dashurisë,” u shpreh një besimtar.
Të pranishmit theksuan ndikimin e tij të pashtershëm në shpirtin e besimtarëve dhe në ndihmën që ka ofruar për shoqërinë.
“Ai ka ringritur shumë kisha dhe institucione të tjera, shkolla, spitale, duke frymëzuar e duke punësuar shumë shqiptarë, duke ngritur shtresën e mesme të Shqipërisë në një kohë kur kishte vetëm të varfër dhe shumë të pasur,” tha një besimtare.
Ceremonia është planifikuar të vazhdojë me kalimin e trupit të kryepeshkopit, për të mbërritur pasditen e sotme në Katedralen Ortodokse të Tiranës.
Gazetare: Leonida Koçiu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



