Shuhet Kryepeshkopi Anastas, Begaj: Shqipëria humbi një udhëheqës shpirtëror

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili u shua në Spitalin “Evangelismos” të Athinës mëngjesin e sotëm.
Kreu i Shtetit, në një postim në rrjetet sociale, shprehet se Shqipëria sot humbi udhëheqësin shpirtëror dhe figurën e shquar të Kishës Ortodokse Autoqefale.
Reagimi i Presidentit Begaj
Shqipëria humbi sot Fortlumturinë e tij, Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasin, udhëheqësin shpirtëror dhe figurën e shquar të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Gjatë udhëheqjes së tij, Fortlumturia e tij ka udhëhequr Kishën me mençuri, përkushtim dhe dashuri për njerëzit, duke kontribuar në forcimin e saj dhe në krijimin e një rruge të re për besimin ortodoks shqiptar, veçanërisht pas periudhës së vështirë të kaluar. Ai ishte një shembull i palodhur i përkushtimit shpirtëror dhe një udhërrëfyes për të gjithë ata që e ndoqën.
Në këtë moment të dhimbshëm, shprehim ngushëllimet tona më të thella për Kishën dhe për gjithë besimtarët, që humbën atin dhe kryebariun e tyre, një udhëheqës të dashur dhe të nderuar. Trashëgimia e Fortlumturisë së tij do të mbetet gjithmonë e gjallë në zemrat e atyre që e nderuan dhe e donin.
Lutemi që Zoti t’i dhurojë prehjen në tendat e të drejtëve dhe qoftë kujtimi i tij i përjetshëm!
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



