Tragjedia e 9 janarit 2004 në Karaburun, familjarët apelojnë për drejtësi

Aktualitet | 2 vite më parë

Prej 21 vitesh, familjarët e 28 viktimave që humbën jetën në tragjedinë e 9 Janarit në Karaburun kërkojnë zbardhjen e së vërtetës dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë.

SPAK, shpresa e vetme e familjarëve për drejtësi, u ka kthyer përgjigje negative.

“E kemi të sanksionuara me baza, me fakte që shteti i ka vrarë,” tha Nikoll Mhilli.

“Nga SPAK-u kemi marrë përgjigje negative. Kërkojmë të rivlerësohet edhe një herë çështja penale,” u shpreh Ndoc Bjeshka.

“… djalin me nusen. Ai djalë e mori guximin atë natë duke telefonuar që i kanë vënë në gomone dhe ‘se na kanë prerë në besë të gjithëve. Nuk jemi me Guardia di Finanza-n, por na vunë në gomone’,” shtoi Mark Grisha.

Avokati i çështjes, Dodë Mehmetaj, thotë se dosja e 9 Janarit ka të njëjtën natyrë të krimeve shtetërore, si 21 Janari apo Gërdeci, por organet e drejtësisë nuk po e konsiderojnë të tillë.

“E njëjta ngjarje dhe të njëjtën natyrë ka ngjarja e 9 Janarit, sepse është një krim i pastër shtetëror, ndoshta jo i qëllimshëm, por me neglizhencën e pafalshme që kishin detyrimin t’i shpëtonin këta njerëz. Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur për fajësi për shtetin. Jetën e këtyre njerëzve e vlerësuan sa çmimin e një lope a pak më ulët, 2 milionë e 500 mijë lekë të vjetër,” deklaroi z. Mehmetaj nga shoqata “9 Janar 2004”.

Më 9 janar 2004, 28 shqiptarë u mbytën në ujërat e detit Jon. Ata ishin kryesisht të rinj të qarkut Shkodër, të moshave nga 15 deri në 33 vjeç.

18 burra dhe 3 gra u gjendën të pajetë mëngjesin e 10 Janarit nga një helikopter i NATO-s i ushtrisë italiane. 8 rezultojnë të zhdukur edhe pas 14 vjetësh.

Njëmbëdhjetë të tjerë mundën të shpëtonin, mes tyre edhe skafistët.

Gazetar: Marjo Gjoni

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme