SHBA- Senati miraton, Pete Hegseth për postin e Sekretarit të Mbrojtjes

Pete Hegseth u konfirmua si sekretari i ardhshëm i mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, me një votim të ngushtë në Senat. Konfirmimi i tij është një fitore e rëndësishme për Presidentin Donald Trump, pas kundërshtimit të ashpër nga demokratët dhe disa republikanë. Pete Hegseth u miratua pas një votimi 50-50 në Senat, falë votës së Nënpresidentit JD Vance, e cila hidhet për të thyer një barazim në votim. Tre senatorë republikanë votuan kundër kandidaturës së Hegseth për postin e sekretarit të Mbrotjes.
Kjo ishte hera e dytë në histori që një kandidat për anëtar kabineti, kishte nevojë për ndërhyrjen e nënpresidentit për t’u konfirmuar.
“Pete Hegseth është gati të zbatojë programin e Presidentit Donald Trump dhe unë besoj se ai do të jetë një agjent ndryshimi në Departamentin e Mbrojtjes dhe se ai është personi që na duhet”, tha senatori republican, Roger Wicker.
“Z. Hegseth i njeh dobësitë që ka Departamenti i Mbrojtjes. Ai është angazhuar gjithashtu të garantojë mbrojtjen e sinjalizuesve, atyre që do të tregojnë për rastet shpërdorimit dhe abuzimit, që kanë qenë të panumërta brenda departamentit“, tha senatori republican, Chuck Grassley.
Tre senatorët republikanë që bashkuan votat me demokratët duke votuar kundër Hegseth ishin senatorët, Lisa Murkowski, Susan Collins dhe Mitch McConnell, i cili ishte udhëheqësi i republikanëve në Senat deri në fillim të këtij muaji.
McConnell tha se zoti Hegseth nuk kishte demonstruar se kishte aftësi për të menaxhuar në mënyrë efektive një organizatë kaq të madhe dhe komplekse sa ushtria.
“Thjesht dëshira për të qenë një “agjent ndryshimi” nuk mjafton për ta marrë këtë rol”, tha senatori McConnell në një deklaratë.
Hegseth, një ish-gazetar i kanalit televiziv Fox News dhe ish-ushtarak i vlerësuar me medalje, është zotuar të bëjë ndryshime të mëdha në Pentagon.
Demokratët në Senat ngritën një sërë pikëpyetjesh, lidhur me kualifikimin, temperamentin dhe pikëpamjet e tij mbi rolin e grave ushtarake në fushëbetejë.
“Ekzistojnë qindra të tjerë pa bagazhin personal të akuzave për abuzim seksual, për abuzim bashkëshortor, që nuk janë akuzuar se kanë ardhur të dehur në punë apo abuzim që janë objekt i një raporti shumë të gjerë të shkruar nga bashkëpunëtorë joanonimë“, tha senatori demokrat, Tim Kaine.
Hegseth është një kandidat që ka shkaktuar më shumë debat për të arritur detyrën më të lartë në krye të forcave të armatosura amerikane.
“Hegseth nuk ka treguar gjykimin e duhur për të qenë Sekretar i Mbrojtjes. Hegseth nuk ka treguar karakterin për të qenë Sekretar i Mbrojtjes, sepse kjo punë është një përgjegjësi e madhe dhe ai nuk është personi i duhur për këtë detyrë”, tha senatori democrat, Adam Schiff.
Sekretari Hegseth do të drejtojë tashmë 1.3 milionë ushtarakë aktivë dhe rreth 1 milionë civilë, që punojnë për forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara, me një buxhet vjetor prej rreth 1 trilion dollarësh.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




