“Po dëmtoni pyjet”, debate për ndërtimet në Shëngjin, Ndreu: Lejet sipas planit

Ekonomi | 2 vite më parë

Ndërtimet në zonen turistike të Shëngjinit u bënë objekt diskutimesh dhe debatesh mes opozitës dhe kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu.

Në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak, përfaqësuesit e opozitës akuzuan institucionet përgjegjëse se po lejojnë ndërtime pa leje dhe po i shkatërrojnë pyjet për t’u hapur rrugë ndërtimit të rezorteve në zonën e Ranës së Hedhun.

“Duhet të ishim të shqetësuar për ndërtimet pa leje në bregdetin e Shëngjinit në këto katër vitet e fundit dhe për heshtjen e paarsyeshme nga ana e institucionit të bashkisë Lezhë, nga ana e Inspektoratit Vendore të Ndërtimeve, nga ana e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit,” tha këshilltarja e opozitës, Alfrida Marku.

“Ne po sakrifikojmë tokë të fondit pyjor. Për momentin janë 1 hektarë e 10 mijë metra hektarë që sakrifikohet,” u shpreh kolegia e saj, Donika Ndoj.

Kryebashkiaku Ndreu tha se lejet për rezorte po jepen konform planit rregullues të miratuar në vitin 2017, ndërsa pranoi faktin se mund të ketë ndërtime pa leje dhe rastet po hetohen nga prokuroria.

“Është tokë private, jo shtet. Të dy palët bashkë kanë përcaktuar zonat ku bëhen ndërtime,” deklaroi z. Ndreu.

Në këtë mbledhje, Këshilli Bashkiak dha dakordësinë për vijimin e procedurave për heqjen nga fondi pyjor kombëtar të sipërfaqeve private me qëllim ndërtimin e komplekseve të banimit dhe shërbimit në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme