A i është hequr “non grata” nga SHBA? Berisha nuk komenton për gazetarët, flet nga foltorja e Kuvendit: Unë erdha, u krye!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shmangur komentet përballë gazetarëve lidhur me disa raportime mbi heqjen e statusit “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pyetjeve të shumta nuk iu përgjigj, por në seancën plenare të Kuvendit u prit me duartrokitje nga deputetët demokratë.
Nga foltorja, Berisha u shpreh shkurt: “Unë erdha, u krye”. Ndërkohë, në një komunikim jashtë Kuvendit, Berisha tha se, sipas tij, nuk ka qenë kurrë non grata.
“U ktheva. Sali Berisha s’ka qenë kurrë non grata. Nëse doni, po të them: Sali Berisha s’ka qenë kurrë non grata. Ka pasur një sanksion. Kundërshtarët e kanë quajtur këtë non grata, por edhe unë nuk është se e kundërshtova. Ka pasur një ndalim hyrjeje për ato arsye në SHBA. Sot unë them u ktheva. Kam pasur komunikim zyrtar, ndaj jam këtu sot”, u shpreh ai.
Berisha u shpall “non grata” në maj të 2021-shit, vendim ky i pari në historinë e Shqipërisë për një ish-Kryeministër dhe ish-President.
Në një deklaratë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, të publikuar asokohe në faqen e Departamentit, u dhanë dhe arsyet e vendimit, sipas të cilit theksohej: “Në cilësinë e tij zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në dëm të besimit të publikut dhe të institucioneve dhe zyrtarëve. Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve antikorrupsion dhe masave të përgjegjësisë. Me këtë përcaktim, unë po rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




