AIDA nis fushatën e takimeve derë më derë me investitorët e huaj, fokus disa kompanitë të vendeve europiane

Ekonomi | 4 muaj më parë

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) do të zhvillojë gjatë muajit qershor 2026 një seri takimesh “door-to-door” me kompani me kapital gjerman, italian, austriak, hungarez, holandez dhe zviceran që operojnë në Shqipëri, në kuadër të Programit Aftercare 2026.

Nisma synon të forcojë dialogun e drejtpërdrejtë me investitorët ekzistues, duke identifikuar sfidat dhe problematikat që ndikojnë në aktivitetin e tyre, si dhe duke diskutuar planet për zgjerim, riinvestime dhe zhvillim të mëtejshëm të biznesit në vend.

Sipas AIDA-s, fushata është pjesë e angazhimit për të qenë më pranë investitorëve të huaj dhe për të mbështetur rritjen e investimeve ekzistuese në Shqipëri. Takimet do të shërbejnë si një mekanizëm i drejtpërdrejtë komunikimi për të adresuar çështje që lidhen me klimën e biznesit, proceset administrative, infrastrukturën dhe nevojat për burime njerëzore të kualifikuara.

Programi Aftercare 2026 mbështetet nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, si dhe nga ambasadat e vendeve pjesëmarrëse në këtë fazë të programit. Qëllimi është krijimi i një mekanizmi të qëndrueshëm bashkëpunimi ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat.

Një element i rëndësishëm i programit është përfshirja e pushtetit vendor. Në këtë kuadër, AIDA ka nënshkruar 12 Memorandume Mirëkuptimi me bashki në të gjithë vendin, me synim forcimin e koordinimit institucional dhe ofrimin e mbështetjes më efikase për investitorët.

Paralelisht, AIDA po punon për krijimin e një platforme digjitale të dedikuar shërbimit Aftercare, e cila do t’u mundësojë investitorëve komunikim në kohë reale me institucionet, raportim të problematikave dhe ndjekje të tyre në nivel institucional.

Përmes kësaj fushate, AIDA synon të konsolidojë marrëdhëniet afatgjata me investitorët ekzistues, të përmirësojë klimën e biznesit dhe të nxisë zgjerimin e investimeve të huaja në Shqipëri. Programi pritet të zgjerohet edhe me vende të tjera gjatë muajve në vijim.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme