Aksioni për lirimin e hapësirave publike në Vlorë, dhunohet drejtori i IMT-së dhe dy efektivë

Një aksion për lirimin e hapësirave publike në hyrje të qytetit të Vlorës, në kthesën e Nartës, ka përfunduar në dhunë fizike. Gjatë kontrollit të një lavazhi, pronarët kanë refuzuar aksionin, duke sulmuar fizikisht drejtorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe dy efektivë të Policisë Rrugore, të cilët ndërhynë për të shmangur sherrin.
Sipas informacioneve, pronari i lavazhove, i cili ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të shtetit, rezulton të jetë një polic Bashkiak. Ai, së bashku me babanë dhe vëllain e tij, ka filluar të kundërshtojë me fjalë aksionin e forcave të rendit, dhe më pas ka kaluar në dhunë fizike ndaj drejtorit të IMT-së dhe dy efektivëve të rrugores.
Dy efektivët e lënduar janë vizituara edhe nga Drejtori i Policisë së Vlorës në spital, ku po marrin mjekimin.
“Sot, rreth orës 12:20, shërbimet e Policisë janë njoftuar se në vendin e quajtur Rrethrrotullimi i Nartës ka ndodhur një konflikt ndërmjet punonjësve të INUV dhe shtetasve I. D., 58 vjeç, D. D., 27 vjeç dhe F. D., 23 vjeç. Në afërsi të konfliktit kanë qenë duke kryer shërbim të planizuar dy punonjës të Qarkullimit Rrugor, të cilët kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe janë goditur fizikisht nga tre shtetasit e sipërpërmendur.
Gjatë ndërhyrjes dhe në përpjekje për të ndalur sulmin fizik, njëri prej punonjësve ka përdorur armën e shërbimit duke qëlluar në ajër, pa shkaktuar lëndime. Si pasojë e dëmtimeve fizike të shkaktuara nga goditjet e tre shtetasve, dy punonjësit e Policisë janë dërguar në Spitalin Rajonal Vlorë, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftimin e policisë.
Pas incidentit, Policia e Shtetit ka shoqëruar policin Bashkiak dhe familjarët e tij për veprime të mëtejshme ligjore. Ndërkohë, efektivi i Policisë Rrugore ka përfunduar në spital për shkak të plagëve të marra nga dhuna. Aksioni për lirimin e hapësirave dhe ndëshkimi i abuzuesve është duke vijuar, ndërkohë që autoritetet po zhvillojnë hetime për incidentin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




