Ambasada Gjermane: Shqipëria, progres të jashtëzakonshëm drejt BE. Reformat thelbësore për anëtarësimin në union

Ambasada gjermane në Tiranë ka vlerësuar progresin e bërë nga Shqipëria në rrugën drejt integrimit europian.
Me një postim në rrjetin social Facebook, ambasada ndalet e vizita e Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Johann Wadephul, në Shqipëri më 17 nëntor, si pjesë e turit të tij diplomatik në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Wadephul zhvilloi takime me Ministren e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, si dhe me kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, me të cilët diskutoi mbi ecurinë e reformave dhe rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në deklaratën e ambasadës, theksohet se Ballkani Perëndimor mbetet prioritet për Gjermaninë dhe se Berlini mbështet fuqimisht procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Sipas postimit, dinamika e zhvillimeve në Shqipëri është e jashtëzakonshme, duke vënë në dukje se pak vende në rajon kanë shënuar një ritëm kaq të shpejtë progresi në kohët e fundit.
Po ashtu, sipas ambasadës, Gjermania vlerëson angazhimin e politikanëve, administratës dhe shoqërisë civile shqiptare në zbatimin e reformave të thella dhe të qëndrueshme.
Ambasada nënvizon se nuk ekzistojnë rrugë të shkurtra për reformat, por nëse Shqipëria vazhdon me ritmin aktual dhe intensifikon përpjekjet, shanset për sukses afatshkurtër janë shumë të mira.
Prioritet, sipas ambasadës gjermane në Tiranë, mbeten reformat në sundimin e ligjit, lirinë e medias, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar.
Në deklaratë theksohet rëndësia e një drejtësie të pavarur dhe efektive si bazë e çdo shoqërie demokratike.
Gjermania vlerëson punën e SPAK-ut, duke e cilësuar atë si një institucion të fortë që po bën përparime konkrete në hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit.
Sipas ambasadës, ekonomia dhe shoqëria mund të zhvillohen vetëm përmes një sistemi ku mundësitë shpërndahen në mënyrë të drejtë dhe ku qytetarët kanë besim tek institucionet e pavarura.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




