Ambasadori Bushati për RTSH-24: Festimet e Nëntorit në diasporë, jehonë e identitetit kombëtar dhe krenarisë shqiptare

Aktualitet | 11 muaj më parë

Në kuadër të festave të Nëntorit, në Shtetet e Bashkuara po zhvillohen një sërë organizimesh kushtuar respektit dhe krenarisë së komunitetit shqiptar.

Aleanca Shqiptare e Nju Xhersit organizoi sot një veprimtari madhështore për 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila shënoi festën e parë të shqiptaro-amerikanëve në javën e pavarësisë.

Që prej orës 10 të paradites, qindra pjesëmarrës nisën festimet në qytetin Garfield, ku një kolonë makinash dhe motorësh përshkoi rrugët e qytetit dhe u ndal në shkollën 8-vjeçare të Garfieldit.

Më pas, festimet vijuan në qytetet Llodaj (Lodi), Pëseik (Passaic), Hakensak (Hackensack), kryeqendra e kontesë së Bergenit, ku në ndërtesën ekzekutive u zhvillua akademia e festës.

Në këtë aktivitet morën fjalën drejtues të komunitetit dhe të ftuar të veçantë, mes tyre edhe ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati, i cili vlerësoi rolin e diasporës në ruajtjen e identitetit kombëtar.

Aktivitetet kulmuan me ceremoninë e ngritjes së flamurit në sheshin qendror, duke i dhënë festës një dimension solemn dhe kombëtar, ku krenaria dhe bashkimi i shqiptarëve u reflektuan fuqishëm në zemër të Nju Xhersit.

Këto aktivitete, tashmë të kthyer në traditë prej vitesh, mbledhin shqiptarë nga të gjitha trevat dhe gjeneratat, duke i dhënë një dimension të veçantë festimit të Ditës së Flamurit përtej oqeanit.

Ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati, në një lidhje të drejtpërdrejtë për RTSH-24 nga New Jersey, vuri në dukje rëndësinë e festimeve të Nëntorit në diasporë, duke i cilësuar si një traditë tashmë të konsoliduar që bashkon shqiptarët nga të gjitha trevat.

Ai theksoi se ngritja e flamurit shqiptar në qendrat kryesore amerikane është kthyer në një simbol krenarie dhe identiteti kombëtar, ndërsa shtoi se komuniteti shqiptar në SHBA është i integruar, i suksesshëm dhe gjithmonë i prirur drejt edukimit e kontributit shoqëror.

Bushati nënvizoi se këto organizime nuk kufizohen vetëm në New York e New Jersey, por shtrihen edhe në qytete të tjera si Florida, Çikago, Detroit, Boston e Texas, duke forcuar lidhjet mes diasporës dhe vendit amë.

 “Sot jemi në New Jersey, përball në Manhattan, dhe ky është eventi i parë që mbahet këtë javë në kuadër të Festës së Flamurit. Tashmë është bërë traditë që ngrihet flamuri shqiptar. Ndihem shumë mirë dhe emocionuar sepse këtu ka një komunitet të konsoliduar shqiptar. Është një ditë e veçantë dhe nuk mund të mungoja në këtë ditë të veçantë.”

Bushati vuri në dukje se në zonën e New Jersey dhe New York, ku jeton numri më i madh i shqiptarëve në SHBA, festimet janë kthyer në një trend të komunitetit shqiptar, duke tërhequr edhe komunitete të tjera.

“Më vjen mirë sidomos në New York, ku me ftesën e kryetarit të Bashkisë së qytetit, festimet marrin një dimension më të gjerë. Ngjyrat, entuziazmi dhe mënyra e festimit janë ngjitëse dhe tërheqin pjesëmarrës nga kultura të ndryshme,” u shpreh ambasadori.

Ai shtoi se shqiptarët në SHBA festojnë së bashku, pavarësisht origjinës nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kalabria apo Greqia, duke e bërë këtë një moment të veçantë uniteti.

“Gjithmonë numri i pjesëmarrësve është më i madh sesa prania e shqiptarëve nga Shqipëria zyrtare. Është një moment festimi ku vlerësohet kontributi i shqiptarëve në komunitetet e tyre. Shqiptarët janë një komunitet që punon, është i prirur drejt edukimit, dhe fëmijët e tyre shkojnë në shkollat më të mira, duke qenë nxënësit më të mirë. Ne jemi krenarë për mënyrën sesi shqiptarët janë integruar kaq mirë dhe kaq shpejt në jetën sociale këtu në SHBA,” tha Bushati.

Ambasadori shtoi se festimet nuk kufizohen vetëm në New York dhe New Jersey, por shtrihen edhe në Florida, Çikago, Detroit, Boston, Texas dhe qytete të tjera amerikane.

“Më vjen mirë që lidhjet po forcohen dhe se kjo urë komunikimi mes shqiptarëve të diasporës ndihet si një jehonë që nga Shqipëria ka ardhur këtu dhe kthehet në një bujë më të madhe në vendin amë. Kemi këto lidhje njerëzore për të festuar së bashku dhe për të qenë krenarë jo vetëm në Shqipëri dhe Europë, por edhe përtej oqeanit,” përfundoi Bushati, duke uruar të gjithë shqiptarët për festat e Nëntorit.

Ndërkohë, gazetari Denion Ndrenika raportoi për RTSH-24 mbi atmosferën festive.

Ai theksoi se kjo traditë ka marrë një kuptim të veçantë, duke sjellë emocione të forta kur shihen marshime të organizuara nga policë apo sherifë shqiptarë.

Ndrenika kujtoi se komuniteti shqiptar ka arritur suksese të rëndësishme, si zgjedhja e Violeta Berishës – shqiptaro-amerikania e parë në krye të Bashkisë së Fairview – apo vendosja e bustit të Nënë Terezës, si shenjë e respektit dhe identitetit kombëtar.

Gazetari shtoi se organizimet kanë karakter politik, shoqëror dhe kulturor, duke u bërë pjesë e pandashme e festimeve të Flamurit.

“Kjo ka shumë domethënie dhe krijon emocione të veçanta. Është një traditë që po konsolidohet vit pas viti dhe që i bën shqiptarët të ndihen krenarë për rrënjët e tyre, kudo që ndodhen,” raportoi Ndrenika.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme