Aplikimi i vaksinës HPV, 457 vajza të vaksinuara prej vitit 2022

Sociale | 2 vite më parë

Kanceri i qafës së mitrës është një nga sëmundjet problematike që prek sistemin riprodhues femëror.

Për ta kapur hershëm ekzistojnë metoda depistuese dhe diagnostikuese, por një nga format e parandalimit të kësaj sëmundjeje është edhe vaksinimi.

Në Gjirokastër që prej vitit 2022 e kanë aplikuar vaksinën kundër virusit njerëzor të papilomës 457 vajza të moshës 9–20 vjeç.

“Numri i vaksinave të kryera është në rritje çdo vit dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Popullata e kësaj moshe është ndërgjegjësuar për kryerjen e vaksinës për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës,” thotë Noris Doraci, shef i Shërbimit Epidemiologjik.

Z. Doraci kërkon më tepër ndërgjegjësim nga ana e prindërve, duke u shprehur se rastet me këtë sëmundje në Shqipëri shtohen me 100 çdo vit.

“Për nga renditja e kancereve që prekin femrat kjo është e dyta, pas kancerit të gjirit. Vaksina është parandaluese dhe është mirë të kryhet në moshën 13–20 vjeç,” tregon shefi i Shërbimit Epidemiologjik.

Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Gjirokastër herë pas here organizon aktivitete sensibiliuese dhe ndërgjegjësuese mbi rëndësinë që kjo vaksinë ka.

Në shkolla, specialistët e promocionit dhe edukimit shpërndajnë informacion mbi sëmundjen dhe masat që duhen marrë përmes aplikimit të vaksinës HPV që në moshë të hershme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme