Arresti në burg, Gjykata e Lartë vendos standarde të reja: Vetëm me arsyetim konkret, duhet shqyrtim real i alternativave para vendimit

Gjykata e Lartë ka vendosur standarde të reja dhe më të qarta për zbatimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, duke theksuar nevojën për arsyetim konkret dhe shqyrtim real të alternativave më pak kufizuese të lirisë.
Në një vendim të marrë nga Kolegjet e Bashkuara, në përbërje të 16 gjyqtarëve, theksohet se kjo masë, si kufizimi më i rëndë i lirisë personale, nuk mund të bazohet në formulime të përgjithshme, por kërkon një analizë të individualizuar dhe të mbështetur në rrethana konkrete të çdo rasti.
Vendimi vjen pas nismës së Kryetarit të Gjykatës së Lartë, i cili kërkoi unifikimin e praktikës gjyqësore për mënyrën e kërkimit, arsyetimit dhe zbatimit të masës “arrest në burg”, në përputhje me standardet kushtetuese dhe ato të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Kolegjet e Bashkuara përcaktuan tre parime kryesore. Së pari, gjykatat kanë detyrimin të shqyrtojnë realisht masat alternative dhe të arsyetojnë pse ato nuk janë të mjaftueshme në një rast konkret.
Së dyti, “arresti në burg” duhet të mbetet një masë përjashtimore, që vendoset vetëm kur alternativat janë të papërshtatshme, bazuar në një vlerësim të detajuar të rrethanave dhe personit.
Së treti, barra e provës për nevojën e kësaj mase i takon prokurorisë, ndërsa gjykata duhet të bëjë një kontroll të plotë dhe të argumentuar në çdo fazë të procesit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




