Basha në Nazarko Podcast nga “fushata 7×7″ te Koalicioni Euroatlantik
Kryetari i Koalicionit Eurotlantik, Lulzim Basha, të martën në “Nazarko Podcast” në RTSH 1 hodhi poshtë akuzat e rivalëve politikë për një “marrëveshje të fshehtë” mes tij dhe kryeministrit Edi Rama për zgjedhjet e 11 majit.
Gjatë diskutimit me moderatorët Mentor Nazarko dhe Oneida Skënderi, z. Basha tha se modeli i tij i fushatës është qartësisht i ndryshëm nga ai i “shkollës së vjetër” politike, duke iu referuar disa prej ish-kolegëve dhe kryetarit aktual të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Kreu i Demokratëve Euroatlantikë foli edhe për lapsusin “7×7” në parlament, të cilin tashmë e ka kthyer në një lajtmotiv (shën. “7×7 = 313” për t’iu referuar Burgut të Tiranës nr. 313) për të denoncuar eksponentët e shumicës të cilët po përballen me drejtësinë e re.
“Sigurisht që ka pasur edhe lapsuse të tjera me numra. Konkretisht, ajo për shifrën 7×7, ndodhi pikërisht gjatë diskutimeve për incineratorët. Bëhet fjalë për një skandal që, nga njëra anë ka përpirë qindra milionë euro nga taksat e qytetarëve dhe nga ana tjetër, me ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, – është shndërruar në aferën që ka sjellë pasoja më të mëdha politike, – duke përfshirë ministra, deputetë e zyrtarë të lartë. Hetimet vazhdojnë, sepse shumë prej pushtetarëve të sotëm janë ende të lidhur me këtë çështje.
Në këtë kuptim, mund të them se gjysmën e punës për të ekspozuar të vërtetën e bëri vetë qeveria. Edi Rama, përmes përpjekjes për ta shndërruar atë lapsus në një armë kundër meje, në fakt kontribuoi në ndriçimin e së vërtetës. Sepse ajo “7×7” që u përmend me ironi, sot është simbol i një realiteti të hidhur: shumë pushtetarë, kanë përfunduar në burgun 313 dhe të tjerë janë rrugës.”
Basha tha se SPAK-u nuk punon për individë, por për qytetarët shqiptarë.
“Detyra ime është të ndihmoj këtë institucion të luftës kundër korrupsionit, duke i lehtësuar punën. Koalicioni Euroatlantik është i vetmi që e mbështet realisht SPAK-un, ndërkohë që kryeministri dhe partneri i tij në opozitë kanë frikë nga drejtësia dhe kërkojnë ta godasin këtë institucion. Kam propozuar një projektligj në Kuvend, që prej një viti e gjysmë dhe që parashikon rritje fondesh, burimesh dhe përmirësim të infrastrukturës ligjore për SPAK, por mbahet peng nga Edi Rama dhe Sali Berisha,” deklaroi ai.
Ai theksoi se, për sa i takon mandatit të prokurorëve të SPAK-ut, nuk është çështje emrash, por funksionimi i institucionit dhe se mbështet, jo vetëm një mandat të dytë, por edhe një të tretë e të katërt nëse e justifikon performanca. Basha theksoi qëllimin për institucione të forta dhe të pavarura.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




