Berisha do të udhëtojë në SHBA, RTSH zbardh agjendën e takimeve të kryetarit të PD-së

Politikë | 2 muaj më parë

Pas heqjes së sanksionimit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të zhvillojë të parën vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Berisha do të marrë pjesë në konventën kombëtare republikane që do të zhvillohet në datat 9 dhe 10 shtator në Dallas të Teksasit.

Kjo është konventa e parë kombëtare që Partia Republikane organizon përpara zgjedhjeve të ndërmjetme për Kongresin Amerikan, duke i dhënë aktivitetit një rëndësi të posaçme politike.

Në konventë pritet të marrin pjesë presidenti Donald Trump, zëvendëspresidenti, si dhe drejtues kryesorë të Partisë Republikane.

Berisha do të bëhet pjesë e kësaj konvente me ftesë të Institutit Amerikan të Lidershipit, IDU-së dhe CDI-së, organizatë ndërkombëtare që bën bashkë 120 parti të djathta dhe të qendrës.

Për Partinë Demokratike, ftesa dhe prania e kryedemokratit në këtë konventë konsiderohet si rikthimi i Berishës në nivelin më të lartë të kontakteve politike me të djathtën amerikane dhe hap një kapitull të ri të marrëdhënieve mes Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane Amerikane.

Këtë udhëtim Berisha do ta shfrytëzojë për t’u takuar edhe me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Berisha ka fiksuar në agjendë dy foltore, një me shqiptarët e New Yorkut dhe një tjetër para konventës republikane me shqiptarët që jetojnë në Teksas.

Për këtë arsye, udhëtimi i Berishës drejt SHBA-së do të nisë në datë 4 shtator.

Kryedemokrati do të jetë i shoqëruar nga deputetët Vokshi, Këlliçi, sekretari për marrëdhëniet me jashtë i PD-së, Enri Ceno, dhe kryerepublikani Fatmir Mediu.

Gazetare: Anisa Kadesha

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme