Berisha: Më 11 maj Edi Rama do marrë përgjigjen që meriton

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha i është drejtuar nga Pogradeci kryeministrit Edi Rama se më 11 maj ai do të marrë përgjigjen që meriton.
Teksa ka prezantuar kandidatët e Partisë Demokratike, Berisha ka theksuar se pushteti i Edi Ramës ka tërhequr edhe të rinjtë pas parasë duke iu referuar edhe skemës 5 D të bashkisë.
“Le të marrim drejtorët e bashkisë të ‘5D’. Djem të ri ata, që vidhnin qindra milionë taksa të qytetarëve të Tiranës dhe së bashku me qeveritarë ndërtonin hotele më të kushtueshme të Shqipërisë. Pra miq, nuk është e rëndësishme mosha, është e rëndësishme karakteri, nderi dhe dinjiteti i personit.
Nuk ka më të rrezikshëm se ata të rinj që janë të çmendur mbas parasë, mbas pasurimit të paligjshëm, mbas përvetësimit të pasurive tuaja. Nuk ngopen kurrë ndaj dhe zgjedhjet janë për tu ndarë me ta. Por nga ana tjetër theksoj këtu se, politika nuk është si teknologjia. Teknologjia ndërron, ndaj dhe ndërrojnë dhe telefonat. Politika është e vjetër, është mijëra vjeçare, është arti i ndikimit mbi njerëzit dhe i përmirësimit të jetës së tyre”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi më tej se për çdo minutë që kalon, Edi Rama është i tepërt në pushtet dhe sipas Berishës, shqiptarët duhet t’i thonë mjaft më 11 maj.
“Njeriu është njeri. Ata që tentuan të krijojnë njeriun e ri, ata përfunduan në kalendat e historisë. Por në të gjitha kohërat, njeriu i qytetëruar që kur ka dalë nga primitivizmi ka mbetur njeri i virtyteve, njeri i integritetit dhe i dinjitetit njerëzor.
Ndaj dhe sot i them Edi Ramës, e vërteta është se çdo minutë që kalon je i tepërt në pushtet, 11 maji po vjen dhe do marrësh përgjigjen që meriton. Unë e kuptoj që ai do të vjedhë prapë, unë e kuptoj që ai nuk ngopet, por shqiptarët do i thonë me 11 maj, mjaft, është radha jonë, është radha jonë. Ndryshim, ndryshim, është radha jonë”, ka theksuar Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




