Berisha: Foltorja do ta përmbushë misionin kur shqiptarët të largojnë këtë qeveri

Politikë | 11 muaj më parë

Partia Demokratike, së bashku me aleatët e saj, organizoi sot Foltoren e dytë para Kryeministrisë, një javë pas themelimit të foltores parlamentaro-qytetare.

Aktiviteti u konceptua si një hapësirë e lirë ku deputetët e opozitës dhe qytetarë të ndryshëm morën fjalën për të shprehur shqetësimet e tyre.

Në protestë ishte i pranishëm edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili solli përshëndetje nga udhëheqja e Internacionales së Qendrës Demokrate, duke theksuar mbështetjen e 115 partive të qendrës së djathtë në katër kontinentet.

Ai e cilësoi zgjedhjen e tij si zëvendëspresident i kësaj organizate një nderim për sakrificat dhe qëndresën e demokratëve shqiptarë.

“Ky është një nderim për guximin tuaj, për mbrojtjen që u keni bërë vlerave të lirisë, të demokracisë, të familjes dhe vlerave të përbashkëta për mbarë njerëzit e lirë në botë”, tha Berisha.

Duke folur për situatën politike në vend, Berisha theksoi se Shqipëria ka qeverinë më të korruptuar dhe më anti-shqiptare, e cila sipas tij do të mbahet mend si “qeveria më hajdute që ka pasur ndonjëherë kombi shqiptar”.

 Ai u bëri thirrje qytetarëve të ngrihen kundër qeverisë, duke theksuar se kjo foltore do ta përmbushë misionin e saj kur shqiptarët të largojnë regjimin aktual.

“Kjo qeveri po vjedh jo vetëm paratë, por edhe të ardhmen tonë. Beteja jonë do të përmbysë këtë regjim”, u shpreh Berisha.

Në fjalën e tij, Berisha solli edhe mesazhet e asamblesë së përgjithshme të CDI, ku Shqipëria zinte një vend qendror në axhendë,-sipas tij.

Ai tha se Edi Ramës u denoncua dhe u dënua nga presidenti i CDI, sekretari i përgjithshëm i organizatës, sekretarja e PPE dhe një sërë oratorësh të tjerë.

Në fund, Berisha përgëzoi të rinjtë që morën fjalën në foltore, duke i cilësuar si shembull të sakrificës dhe guximit.

“Ky është sheshi i lirisë. Do e çlirojmë edhe atë ndërtesë. Erdhëm këtu për të mos ikur kurrë pa fitore. Çdo shqiptar duhet ta dijë që kjo foltore e arrin misionin e saj kur këta hajdutë të ikin nga Shqipëria”, tha Berisha.

Foltorja, sipas organizatorëve, do të vijojë të mbahet çdo javë, duke u shndërruar në një tribunë të hapur për zërin e qytetarëve dhe për denoncimin e problemeve që, sipas opozitës, po përballon vendi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme