Berisha me fermerët në Elbasan: Rama shkatërroi bujqësinë, hapi kufijtë për prodhimet serbe

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar një bashkëbisedim me fermerët në Elbasan, të cilët sipas tij, janë lënë në harresë nga qeveria aktuale.
Berisha është shprehur se politika që ndoqi kryeministri Edi Rama ka qenë shkatërrimtare për fermerët shqiptarë, pasi sipas Berishës, kreu i qeverisë u ka hapur kufijtë proidhimeve serbe.
“Sot, sektori i bujqësisë dhe blegtorisë, që është një sektor bazë, në të cilin punësohen rreth gjysmë milioni shqiptarë, është një sektor për të mos thënë krejtësisht, por pothuajse krejtësisht i braktisur nga kjo qeveri. Ky sektor i jep vendit 90% të prodhimit të brendshëm. Ky sektor financohet vetëm 0.5% të prodhimit të brendshëm.
Ju nuk jeni më pak punëtorë se sa fermerët e Maqedonisë, të Kosovës, apo të Serbisë, ose të Malit të Zi. Jo, ju jeni shumë punëtorë. Dhe sigurisht, ju doni që fermat tuaja, serrat tuaja, stallat tuaja, të ecin përpara, t’u begatojnë, të pasurohen.
Por, kjo nuk ndodh. Sepse, me politikën që ndoqi kjo qeveri, ishte një politikë shkatërrimtare. Hapi kufijtë, doganat për prodhimet e Serbisë, Maqedonisë, fermerë të të cilave, subvencionohen nga 5 gjer 8 herë më shumë se ju”, u shpreh Berisha.
Sipas Berishës, gjendja e bujqësisë shqiptare ka bërë që shumë shqiptarë të largohem nga vendi për ta ndërtuar jetën jashtë kufijve të Shqipërisë.
“Pra, në qoftë se ju merrni 100 euro subvencion, fermeri në Maqedoni merr 500 euro subvencion, fermeri në Kosovë merr 400 euro subvencion, fermeri në Serbi merr 700 ose 800 euro subvencion.
Ky është realiteti. Kjo është e vërteta!
Çfarë ndodh? Ndodh që ju nuk konkurroni dot në tregje, sepse ai e ka të subvencionuar çmimin, dhe fëmijët tuaj largohen për të ndërtuar ëndrrën e tyre, jo në Elbasan, jo në Shqipëri, po për ta ndërtuar në Itali, Greqi, dhe në vende tjera. Unë, do t’u dërgoj atyre një përshëndetje shumë të përzemërt dhe një nderim shumë të madh. Ata janë bërë individë të shquar, biznesmenë të shquar, dhe janë atdhetarë të flaktë aty ku janë. Njëri prej tyre është, Eduart Çekrezi, të cilin unë pata fatin ta njoh fort këto kohët e fundit. Por, edhe shumë e shumë të tjerë.
Ata, këtë vit votojnë për herë të parë dhe ata do t’i japin vendit të tyre mbështetje historike me votën e tyre. Së bashku me ju, do ta ndajnë Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe”, tha më tej Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




