Berisha njofton protestën e 28 shkurtit: Dita e kryengritjes paqësore, kryengritja kalon në fazën e diversifikimit të aksioneve

Politikë | 8 muaj më parë

Kryedemokrati Sali Berisha ka bërë me dije në fjalën e mbajtur për media se protesta e radhës e opozitës do të jetë më 28 shkurt. Ai deklaroi se kjo protestë do të jetë më e fuqishmja që ka njohur vendi, pasi sikurse theksoi ai “kryengritja kalon në fazën e diversifikimit të aksioneve.”

“Ndërkohë e dini, e shtuna është dita e kryengritjes paqësore. Qytetarët mezi e presin për të shprehur zemërimin, revoltën e tyre, urrejtjen e tyre ndaj hajdutëve.

Dhe, do të jetë një revoltë, një kryengritje do të thosha më e fuqishmja që ka njohur vendi. Nuk do jetë e llojit të atyre që keni parë. Tani, kryengritja kalon në fazën e diversifikimit të aksioneve dhe veprimtarive të saj. Për të gjitha do informoheni në përputhje me vendimet që do merren. Por e shtuna është dita e triumfit të opozitës, e triumfit të shqiptarëve mbi hajdutët”, deklaroi.

Ai u ndal dhe te protesta e 20 shkurtit ku dënoi ndërhyrjen e policisë ndaj protestuesve të rinj.

“Dënoj me forcën më të madhe keqtrajtimin policor që u bë ndaj të rinjve, të cilët ishin energjia, guximi dhe fytyra e vërtetë e protestës”, tha Berisha.

Po ashtu, kryedemokrati ka dënuar edhe incidentet pranë selisë së Partisë Demokratike.

“Dënoj me forcën më të madhe sulmin ndaj selisë së PD dhe e paralajmëroj Edi Ramën të ndërpresë çdo sulm ndaj selisë sepse përgjigja mund të jetë ajo që nuk ia pret mendja atij. Sulmi në mënyrën më absurde u përqendrua tek selia. Aty u pozicionuan një grup banditësh me uniformë që qëllonin me të gjitha mjetet në drejtim të selisë dhe një grupi protestuesish që ishin në rrugë para selisë”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme