Berisha: Opozita do i përvishet Edi Ramës deri në fitore

Aktualitet | 11 muaj më parë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në protestën para Kryeministrisë ka deklaruar se opozita ka dalë në një vendim solemn siç e quajti që t’i përvishet mazhorancës së kryeministrit Edi Rama deri në fitore.

“Por duhet të them këtu, koha ka kaluar, sigurisht, megjithatë vijmë më të vendosur se kurrë. Dy mbledhje janë bërë dy ditët e fundit nga forumet e PD, kryesia e saj dhe grupi parlamentar.

Kanë dalë me një vendim solemn. T’i përvishemi gjer në fitore. Kanë dalë me një vendim solemn, se rrugë tjetër përveç protestës, përveç përballjes, përveç kacafytjes me të, nuk ka dhe nuk do ketë. Miq, dhe për të gjithë shqiptarët, i ftoj të arsyetojnë, votën ua shkelmon.

Duke u shkelmuar votën, i poshtëron. Shkelmon lirinë e tyre. Për t’u blerë votën në zgjedhjet e fundit u fali 2 miliardë euro 83 mijë bizneseve, në një kohë kur 760 mijë pensionistë nuk blejnë dot ilaçet, nuk sigurojnë dot kafshatën e muajit.

Votën e rrëmbeu me banditë të administratës, amoralë që shndërrojnë misionin e tyre, detyrën e tyre në shërbim të qytetarëve, në plaçkitës dhe grabitës së votës së tyre. Votën e grabiti me banda, me banditë, me kriminelë, me kartelet e drogës”, u shpreh Berisha.  

Berisha tha se opozita nuk e pranon një kryeministër të tillë si Edi Rama.

Ai kërcënoi kreun e qeverisë duke thënë se “u jap ju fjalën se atë që ka përjetuar në vitin 1991, tek ikte me autoblinda nga Blloku në tunelet e Enver Hoxhës, do t’ia provojmë së shpejti”.

“Ne një kryeministër të tillë nuk e pranojmë kurrë. Pra, ky hajdut, që çdo tullë të sarajeve të tij, i ka djersën, mundin e taksapaguesve shqiptarë, para të vjedhura nga paratë e tyre.

Ku hajdut që vetëm në 2 vite ka bërë 140 fluturime, duke transportuar privatisht para të vjedhura dhe drogë, në gropa të zeza, që nuk i di kush se ku janë. Ky hajdut që lë të sëmurët pa ilaçe të vdesin në mëshirën e fatit dhe thotë që janë shumë dhe s’kam ç’u bëj.

Ky hajdut, që vetëm aty në oborr, ka Kopshtin e Edenit, me vlerë 4.2 milionë euro me peshq ekzotikë, ndërkohë që fëmijët tanë mbushin rrugët e Europës dhe botës. Ky hajdut rri këtu për shkakun tonë. Por kjo merr fund. Ky hajdut rri këtu sepse nuk i kemi treguar ne forcën tonë.

Ne do ia tregojmë atij. Dhe unë u jap ju fjalën se atë që ka përjetuar në vitin 1991, tek ikte me autoblinda nga Blloku në tunelet e Enver Hoxhës, do t’ia provojmë së shpejti”, tha më tej Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme