Berisha prezanton programin e PD për kulturën: Institucionet e artit janë paralizuar në këto 12 vite

Politikë | 2 vite më parë

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka shpalosur programin qeverisës për kulturën. Teksa akuzoi maxhorancën se ka “goditur” artin dhe kulturën gjatë 12 viteve të qeverisjes, Berisha theksoi se programi i koalicionit që ai drejton, “frymëzohet para së gjithash nga kultura dhe arti”.

“Nuk ka pësuar ndonjëherë goditje të tilla shokuese arti dhe kultura jonë si këto 12 vite. Nuk janë paralizuar kurrë institucionet e artit dhe kulturës sonë si në këto 12 vite. As në diktaturë. Në diktaturë kishte ndonjë pjesë në teatër që ishte realizimi socialist, por kishte edhe të tjera. Me një fjalë, ky qëndrim asgjësues ndaj institucioneve ishte një prerje e gjuhës që ato të mos mund të flasin publikisht sa duhet dhe si duhet. Projekti ynë i Shqipërisë Madhështore është një projekt që frymëzohet para së gjithash nga kultura dhe arti. E vërteta është se sot në kulturën dhe artin tonë, në trashëgiminë tonë, në të gjitha fushat e tyre, ne kemi një madhështi, kemi kulme madhështore si trashëgimi. Pastaj kemi edhe hone të tmerrshme që duhet t’i kalojmë”, tha ai.

Po ashtu, Berisha tha se Teatri Kombëtar do të rindërtohet siç ka qenë dhe në po të njëjtin vend.

“Ju ngritët me shumë të drejtë këtu rindërtimin e teatrit siç ishte. Pa diskutim që kjo do të ndodhë. Nuk ka rast më klasik, më të shëmtuar të veprimit mafioz, të shtetit mafioz. Miq, ne vuajmë shumë nga një problem. Vuajmë nga fakti se nuk realizojmë dot atë që thotë Samuel Hantington se më e keqja e diktaturave është diktatura e narkosit, e drogës se nuk respekton asnjë ligj, asnjë vendim, asnjë rregull. Kurse këtu shkel çdo ligj me transferimin e pronësisë. Shkelmon vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Vazhdon si bandit ndërtimin me bekimin e padrinos, e një njeriu që tregon çdo ditë se nuk kryeson çdo gjë tjetër veçse një organizatë kriminale. Pra, teatri në mënyrë të padiskutueshme do rindërtohet siç ishte dhe aty ku është. Dhe unë i jap një paralajmërim atij që e ka marrë përsipër. Po ndërton në shkelje flagrante të Kushtetutës”, u shpreh Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme