Bisedimet në Gjenevë për Ukrainën, Marco Rubio: Përparim i jashtëzakonshëm, shpresojmë për marrëveshje shumë shpejt

Botë | 11 muaj më parë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka deklaruar se është bërë një “përparim i jashtëzakonshëm” në bisedime për të finalizuar një marrëveshje paqeje për luftën në Ukrainë.

Bisedimet në Gjenevë po zhvillohen midis delegacioneve nga SHBA, Ukraina dhe aleatët e saj evropianë dhe po përqendrohen në një draft plan prej 28 pikash dhe do të vazhdojnë të hënën.

Duke folur për gazetarët në Gjenevë të Zvicrës, Rubio vlerësoi “pjesëmarrjen e gjerë” të Ukrainës në planin e paqes me 28 pika të mbështetur nga SHBA.

“Negociatorët kanë pasur një ditë shumë të mirë dhe ka pasur përparim të jashtëzakonshëm në bisedimet për përfundimin e luftës në Ukrainë. Kishte një qëllim sot, për të provuar të kufizoheshin mosmarrëveshjet rreth pikave kryesore. Ne e arritëm atë sot në një mënyrë shumë thelbësore“, tha ai.

Marrëveshja përfundimtare, vuri në dukje ai, do të kërkojë nënshkrimin e presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Rusia gjithashtu do të duhet të nënshkruajë planin për t’i dhënë fund luftës që po zhvillohet për gati katër vjet.

Ka ende disa pika mosmarrëveshjeje, tha Rubio, duke i karakterizuar çështjet e pazgjidhura si “disa çështje për të cilat duhet të vazhdojmë të punojmë”.

“Unë nuk dua të shpall fitoren ose fundin e procesit këtu. Ka ende disa gjëra për të bërë, por sot, tani, ne jemi shumë përpara“, tha ai.

I pyetur nëse SHBA është pro idesë së ofrimit të garancive të sigurisë, ai tha se nuk do të diskutonte detajet e punës në vazhdim.

“Ne të gjithë e kuptojmë se në mënyrë që kjo luftë të përfundojë njëherë e përgjithmonë, Ukraina duhet të ndihet e sigurt. Kjo është qartësisht diçka që duhet diskutuar, mendoj se kemi bërë përparim të rëndësishëm në këtë dhe pika të tjera,” tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme