Botërori Brazil 2027 vajza/ Shqipëria njeh më 18 qershor kundërshtaret e Play-off-it

Kombëtarja | 5 muaj më parë

Kombëtarja e vajzave ka arritur një tjetër sukses historik, duke siguruar për herë të parë kualifikimin në fazën play-off të Kampionatit Botëror “Brazil 2027”. Një arritje që konfirmon progresin e vazhdueshëm të skuadrës kuqezi dhe punën e bërë ndër vite nga Federata, stafi teknik dhe futbollistet shqiptare.

Skuadra e drejtuar nga Armir Grima do të mësojë më 18 qershor, në ora 12:00, emrin e ekipit kundërshtar për raundin e parë të play-off-it, një fazë që mund ta afrojë edhe më shumë Shqipërinë me ëndrrën e madhe të një kualifikimi historik në Kupën e Botës, si edhe rivalen e mundshme për raundin e dytë të fazës play-off, që siguron një vend në Botërorin 2027

Sipas formatit të garës, skuadrat e renditura në vendet e dyta dhe të treta të grupeve të Ligës B do të përballen me ekipet e renditura në vendet e fundit të grupeve të Ligës A dhe skuadrat fituese të grupeve të Ligës B.

Kundërshtarët e mundshëm të Shqipërisë janë:

Sllovenia, Polonia, Serbia dhe Ukraina (skuadrat e renditura në vendet e fundit të grupeve të Ligës A)

Zvicra, Portugalia, Skocia dhe Uellsi (skuadrat fituese të grupeve të Ligës B).

Shorti i 18 qershorit do të përcaktojë rrugëtimin e radhës të vajzave kuqezi, të cilat tashmë kanë hyrë në historinë e futbollit shqiptar me këtë kualifikim të parë në fazën play-off të një Kampionati Botëror. Po sipas formatit, Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë në shtëpi ndërsa ndeshjen e kthimit në transfertë. Kalendari i plotë i ndeshjeve do të bëhet me dije pas hedhjes së shortit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme