Buxheti 2026/ Komisioni i Shëndetësisë rrëzon propozimet e Shehut për rritjen e fondeve dhe rimbursimin e ilaçeve

Politikë | 11 muaj më parë

Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale ka miratuar ditën e sotme projektligjin për “Buxhetin e vitit 2026”, pas diskutimeve nen për nen. Mbledhja, e drejtuar nga kryetari Bardh Spahia, u karakterizua nga kërkesat e opozitës për rritje të ndjeshme të financimit në sektorin e shëndetësisë, kërkesa të cilat nuk gjetën mbështetjen e shumicës.

Amendamentet e rrëzuara

Deputeti Tritan Shehu paraqiti në komision dy amendamente që, sipas tij, ishin të ndërlidhura ngushtë financiarisht dhe synonin përafrimin me standardet ndërkombëtare.

Kërkesa e parë e Shehut ishte rritja e buxhetit të shëndetësisë me 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP), me qëllim që totali i financimit të arrinte nivelin prej rreth 4%, duke cituar direktivat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Amendamenti i dytë kishte të bënte me lehtësimin e barrës për qytetarët, duke propozuar që niveli i rimbursimit të barnave të shkonte në 80%.

“Në rritjen e GDP afër 4% për shëndetësinë, një pjesë të kalojë te rimbursimi i medikamenteve,” argumentoi Shehu gjatë diskutimit.

Votimi

Pas debateve, anëtarët e komisionit hodhën në votim propozimet. Të dyja amendamentet e paraqitura nga Shehu u rrëzuan me shumicë votash.

Në përfundim, Komisioni miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për buxhetin e vitit 2026” në variantin e qeverisë, duke i hapur rrugë miratimit final në seancë plenare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme