“Çfarë na bëre mor bab” dhe kupa e thyer/ Arsi Bako rrëfen emocionet e fitores në Festivalin e RTK
Arsi Bako është shpallur fituese e edicionit të tretë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës.
Kënga “Rreze zjarr”, me muzikë dhe tekst të Gjergj Kaçinarit, rrëmbeu çmimin e madh si dhe u vlerësua me “Çmimin e kryeqytetit” dhënë nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Në një intervistë për Andri Xhahun në emisionin “Në Radio”, që transmetohet çdo ditë në Radio Tirana 1, Arsi flet për emocionet e këtij triumfi.
“Ndihem shumë e lumtur. E vlerësova faktin që ishte kaq e drejtë. E kam parë në fytyrat e këngëtarëve që ishin dakord me çmimet e dhëna. Florenti (Abrashi) ma ka thënë edhe më herët që do ishte i lumtur po ta fitoja unë. Është çmenduri”.
Arsi tregon edhe për incidentin që i ndodhi me kupën pas shpalljes së emrit të saj si fituese.
“Ishte shokuese. Nuk dija ç’të bëja, të qaja apo të qeshja? Duke u hedhur e duke tundur kupën nga gëzimi, një pjesë e saj ra. Është ngjitur dhe është mirë mbi pianon time”, sqaron ajo duke shtuar se si fituese tashmë ka dhe një medaljon me 62 diamantë.
Fitorja në Festivalin e Këngës në RTK ishte aq e papritur sa ende nuk e ka perceptuar atë.
“Unë jam akoma duke e perceptuar se çfarë ka ndodhur. Po kështu edhe familja ime. Kur fitova babi më tha: ‘Çfarë na bëre mor bab’. Mami është më fjalëpak, por edhe ajo këtë donte të thoshte. Vëllai i vogël erdhi duke bëritur dhe duke më përqafuar. Vëllai tjetër që shprehet më pak më përqafoi dhe më tha ‘Bravo’. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë pas kësaj. Është pak e vështirë sepse duhet menaxhuar dhe duhet menduar mirë se cilat do të jenë hapat e mi të radhës”.
Nëse e ka ndierë ashpërsinë e garës me konkurrentët e tjerë, këngëtarja tregon se atmosfera ishte mjaft miqësore.
“Të gjithë e kishin synimin për të fituar. Këngët ishin shumë të mira dhe zërat e fuqishëm. Por nuk qe asgjë armiqësore. Ishte një atmosferë shumë e ngrohtë. Shkonim shumë mirë me njëri-tjetrin edhe në prapaskenë. Më kanë përgëzuar dhe uruar të gjithë”.
Arsi kujton krijimin e këngës në studio dhe idenë për të prezantuar në festival një krijim energjik që të përcillte një mesazh të bukur dhe të përfaqësonte këdo.
Pavarësisht se kënga i ka pëlqyer shumë, ajo nuk kishte pritshmëri.
Por gjithçka ndryshoi gjatë provave.
“Ama kur vajta në provat e para pashë reagimin e të gjithëve duke më thënë që kënga u ka pëlqyer pa masë dhe mendova që diçka mund të ndodhë”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




