Detaje të reja nga vrasja në Korçë, Policia identifikon autorin e dyshuar, zbardhet dinamika e krimit

Aktualitet | 3 muaj më parë

Një konflikt i bartur për motive të dobëta midis dy grupeve të rinjsh ka agravuar pasditen e sotme në përdorimin e armës së zjarrit, duke i marrë jetën një 20-vjeçari në qytetin e Korçës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 16:30, në rrugën “Viktor Eftimiu” në lagjen nr. 15, fare pranë banesës së viktimës.

Sipas të dhënave të konfirmuara nga autoritetet policore, i vdekur nga breshëria e armës ka mbetur shtetasi me iniciale J. Z., rreth 20 vjeç, banues në lagjen nr. 14 të Korçës.

“Rreth orës 16:30, në lagjen nr. 15, në rrugën ‘Viktor Eftimiu’, Korçë, ka ndodhur një konflikt ndërmjet disa personave, i cili është përshkallëzuar në përdorimin e armës së zjarrit.”, njoftoi policia.

Zbardhet dinamika e konfliktit

Detaje të reja rreth kronologjisë së ngjarjes ka dhënë Zëvendësdrejtori i Hetimit të Krimit në DVP Korçë, Sejfulla Metko. Sipas tij, përplasja mes palëve nuk ka qenë e çastit, por ka nisur rreth dy orë përpara se të kryhej ekzekutimi.

Metko konfirmoi se autori ka përdorur një armë zjarri automatike të llojit kallashnikov, ndërsa viktima ka pasur me vete një armë të ftohtë gjatë përleshjes fizike.

“Konflikti ka nisur rreth orës 14:00 në një lagje afër vendit ku ndodhi ngjarja. Më pas, ai ka precipituar në afërsi të banesës së viktimës, ku është përdorur edhe arma e zjarrit. Viktima është vrarë me armë zjarri automatike (Kallashnikov). Gjithashtu, viktima ka pasur me vete një armë të ftohtë gjatë përleshjes. Konflikti ka qenë i bartur prej disa kohësh dhe ka qenë në ndjekje nga ana jonë”, deklaroi Metko.

Kërkimet për autorin dhe të shoqëruarit në komisariat

Menjëherë pas goditjes me armë, autori i dyshuar me inicialet K. S., është larguar nga vendngjarja. Dëshmitarët okularë e kanë parë atë duke u larguar në këmbë në drejtim të varrezave të qytetit rreth 15 minuta pas krimit. Forcat e policisë kanë rrethuar zonën dhe po vijojnë krehjen e territorit për lokalizimin dhe kapjen e tij.

“Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operative të kryera nga shërbimet e Policisë në vendngjarje, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, i cili është larguar nga vendngjarja menjëherë pas krimit.”, njoftoi policia.

Ndërkohë, strukturat e policisë kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Korçës tre persona të tjerë, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në konfliktin e armatosur.

“Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, tre shtetas të dyshuar si të përfshirë në konfliktin ku humbi jetën 20-vjeçari.”, theksohet në njoftim.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, po vijon punën në terren për fiksimin e të gjitha provave materiale dhe dokumentimin ligjor të përgjegjësisë penale për secilin prej personave të përfshirë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme