Dhuna në Kolumbi, presidenti paralajmëron shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Presidenti kolumbian Gustavo Petro ka deklaruar se do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, pas një vale sulmesh guerile në verilindje të vendit që kanë vrarë dhjetëra njerëz dhe kanë detyruar mijëra të tjerë të braktisin banesat e tyre.
Në një mesazh në rrjetin social X, Petro u shpreh se do të “shpallte gjendjen e trazirave të brendshme, një masë që i mundëson pushtetit ekzekutiv të miratojë disa lloje legjislacioni pa miratimin e Kongresit për tre muaj.
Masa do të hyjë në fuqi pasi Presidenti të firmos dekretin, por mund të shfuqizohet gjithashtu nga Gjykata Kushtetuese e Kolumbisë.
Dekretet e trazirave të brendshme u përdorën në fillim të viteve 2000 nga administrata e presidentit të atëhershëm Álvaro Uribe për të rritur financimin për ushtrinë përmes një takse të veçantë lufte. Sipas Kushtetutës së Kolumbisë, kjo masë emergjente nuk mund të përdoret për të pezulluar kongresin ose për të eliminuar të drejtat civile. “Shpresoj që sistemi gjyqësor të na mbështesë”, shkruan Petro në X.
Më herët, presidenti kishte paralajmëruar se ushtria e vendit të tij do të ndërmarrë veprime sulmuese kundër Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, pasi rebelët (të njohur si ELN) lëshuan një valë sulmesh në rajonin Catatumbo të Kolumbisë, në të cilat humbën jetën të paktën 80 persona.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




