Dita e ndeshjes/ Kuqezinjtë me ndryshime, sot për goleadë në San Marino

Shqipëria luan sot aktin e dytë në Ligën e Kombeve. Pas fitores 2-0 me Bjellorusinë pak ditë më parë në “Air Albania”, kuqezinjtë përballen sot (ora 20:45) me San Marinon në transfertë. Një ndeshje e lehtë në letër, por që meriton vlerësim maksimal, sepse duhen pikët dhe sa më shumë gola.
Finlanda, rivali kryesor i Shqipërisë në grup për vendin e parë, shënoi 7 herë në portën e San Marinos, kështu që skuadrës sonë i nevojitet fitorja me goleadë për të mos pasur pengje në llogaritë përfundimtare.
Trajneri Rolando Maran pritet të bëjë disa ndryshime në ndeshjen e sotme, sa për të çlodhur ndonjë titullar të rëndësishëm, aq edhe për t’u dhënë hapësirë lojtarëve të tjerë që ka në dispozicion të tregojnë vlerat. Por pa prishur ekuilibrin e skuadrës, sepse rezultati është parësor dhe nuk ka kohë për eksperimente.
Në portë pritet të jetë sërish Berisha, kurse në mbrojtje me shumë mundësi do të ketë ndryshime. Hysaj dhe Pilo mendohet ta nisin nga stoli, duke u lënë vendin respektivisht Sinës dhe Mitajt. Për Samuele Sinën do të ishte ndeshja e debutimit me fanellën kuqezi. Kapiteni Gjimshiti dhe Ismajli nuk lëvizin.
Ramadani mund të pushojë në mesfushë, ku Shehu pritet të pozicionohet përkrah Asllanit. Uzuni pritet të marrë një fanellë titullari sot, duke qenë mes mesfushës dhe sulmit.
Ernest Muçi, pas golit të shënuar ndaj Bjellorusisë dhe lojës së mirë, pritet ta nisë sërish nga minuta e parë. Mehmeti ka shanse të marrë vendin e Hoxhës në krahun e majtë të sulmit, ndërsa në majë të repartit të avancuar do të jetë njëri mes Manajt dhe Dakut, me të parin të favorizuar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





