Dy minuta jashtë kush kërkon ndihmë mjekësore, FIFA vendos rregull të ri kundër humbjes së kohës

Rregull i ri për të reduktuar humbjen e kohës dhe për të shtuar minutazhin e lojës efektive në një ndeshje futbolli. Njoftimi vjen nga FIFA nëpërmjet presidentit të komisionit të arbitrave, Pierluigi Collina.
Ky rregull i ri parashikon që lojtarët e dëmtuar, të cilët kërkojnë ndihmën e stafit mjekësor, duhet të qëndrojnë jashtë fushe për dy minuta. “Kjo risi, – ka shpjeguar Collina, – do të aplikohet në të gjitha rastet, përveç atyre kur kundërshtari i lojtarit të dëmtuar nuk ndëshkohet me karton të verdhë ose të kuq. Sigurisht, rregulli nuk vlen për portierët”.

Objektivi i FIFA-s është i qartë: të minimizojë humbjen e kohës. Dëmtimet “false”, apo të ekzagjeruara, do ta detyronin skuadrën që të luante me një lojtar më pak për dy minuta, çka nuk do t’i shkonte për shtat.
Rregulli i ri do të testohet gjatë Kupës Arabe 2025, e programuar për t’u zhvilluar në Katar, 1-18 dhjetor. Nëse do të jetë efikas, ky rregull do të aplikohet edhe në eventet më të rëndësishme, siç është Kupa e Botës verën e ardhshme.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




