Edi Rama: Protesta sfidon rrugën e Shqipërisë drejt BE-së në 2030-n
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj protestës që po mbahet përgjatë ditëve të fundit në Tiranë, duke theksuar se ajo sfidon objektivin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, si dhe vlerat demokratike të dialogut dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
Në deklaratën e tij, kryeministri ka pranuar ndjesinë e zhgënjimit dhe frustrimit të brezit të ri, duke theksuar se progresi objektiv i vendit nuk e eliminon këtë realitet emocional.
“Të dyja mund të jenë të vërteta njëkohësisht. Për fat të keq, progresi ynë objektiv nuk e bën më pak reale ndjesinë e zhgënjimit dhe të frustrimit të këtij brezi. Sikurse edhe ndjesia e padrejtësisë të tyre nuk është automatikisht provë e padrejtësisë,” ka thënë Rama.
Ai ka vënë theksin te sakrifica e policëve që janë përballur me dhunë gjatë protestës. Sipas tij, shumë prej tyre i përkasin të njëjtit brez dhe kanë pakënaqësitë e tyre, por zgjedhin të jenë “qëndresa e shtetit” dhe jo të thërrasin për qëndresë kundër tij. Rama ka theksuar nevojën për motivimin e vazhdueshëm të tyre.
“Duhet të gjejmë mënyrën për t’i motivuar pa rreshtur këta njerëz, që të gdhihen çdo orë e çdo minutë të këtij brezi. Ndryshe nga djali i mesazhit, policët nuk po kërkojnë vëmendje, nuk po kërkojnë promovim, nuk po kërkojnë shumëçka që me siguri u takon, por me siguri ata kanë nevojë të ndjejnë praninë tonë dhe të shoqërisë në këtë sakrificë të tyre përballë gurëve, shashkave, molotovëve, me flakëve të një turme të maskuar,” ka deklaruar kryeministri.
Sipas Ramës, në këto orë të vështira nuk sfidohet individi, qeveria apo shumica parlamentare, por “një rrugë, një mision, një objektiv”.
“Po sfidohet Shqipëria evropiane. Shqipëria në Bashkimin Evropian në vitin 2030. E po sfidohet një mënyrë e të menduarit tradicionale e marrëdhënieve mes njerëzve, mes palëve, mes grupeve, mes forcave në një hapësirë demokratike, ku liria jote mbaron ku fillon imja, dhe ku e drejta ime mbaron ku fillon jotja. Kjo është sfida e këtyre orëve të vështira,” ka përfunduar kryeministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




