Emaili i Pentagonit për pezullimin e Spanjës, NATO reagon: Aleanca nuk parashikon përjashtimin e anëtarëve

NATO ka reaguar pas një raporti të publikuar nga Reuters, ku thuhej se Shtetet e Bashkuara mund të kërkonin pezullimin e Spanjës nga aleanca për shkak të qëndrimit të saj ndaj luftës me Iranin.
Një zyrtar i NATO-s ka sqaruar për BBC se traktati themelues i organizatës nuk përmban asnjë dispozitë për pezullimin ose përjashtimin e shteteve anëtare, duke hedhur poshtë çdo mundësi të tillë.
Raporti i Reuters citoi një zyrtar amerikan, i cili tha se një email i brendshëm i Pentagonit kishte sugjeruar masa ndëshkuese ndaj aleatëve që, sipas SHBA-ve, nuk e kishin mbështetur fushatën kundër Iranit.
Në këtë email përmendej edhe një rivlerësim i mbështetjes amerikane për pretendimet britanike mbi Ishujt Falkland, të cilët janë gjithashtu të pretenduar nga Argjentina.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez e hodhi poshtë raportin, duke theksuar se qeveria e tij nuk bazohet në email-e të brendshme, por në dokumente dhe qëndrime zyrtare të Shteteve të Bashkuara.
“Ne nuk punojmë bazuar në email-e. Ne punojmë me dokumente zyrtare dhe qëndrime zyrtare”, tha Sanchez, duke shtuar se Spanja mbështet bashkëpunimin me aleatët, por gjithmonë brenda kuadrit të së drejtës ndërkombëtare.
Debati vjen në një kohë kur Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar vazhdimisht aleatët e NATO-s për ngurrimin e tyre për të marrë një rol më të madh në operacionet ushtarake, sidomos pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit në fund të shkurtit, të cilat çuan në kufizimin e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit.
Spanja ka refuzuar të lejojë përdorimin e bazave ajrore në territorin e saj për sulme ndaj Iranit, megjithëse SHBA-të kanë dy baza ushtarake në vend: Stacionin Detar Rota dhe Bazën Ajrore Moron.
Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer ka theksuar se përfshirja e mëtejshme në konflikt nuk është në interes të Mbretërisë së Bashkuar, edhe pse Londra ka lejuar përdorimin e bazave britanike për sulme ndaj pozicioneve iraniane dhe avionët e RAF kanë marrë pjesë në misione për rrëzimin e dronëve iranianë.
Franca, Britania dhe vende të tjera kanë shprehur gatishmërinë për të mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit pas një armëpushimi të qëndrueshëm.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni u bëri thirrje aleatëve të qëndrojnë të bashkuar, duke e cilësuar NATO-n si “burim force”, ndërsa qeveria gjermane ka theksuar se pjesëmarrja e Spanjës në aleancë nuk vihet në dyshim.
“Spanja është anëtare e NATO-s. Dhe nuk shoh asnjë arsye pse kjo duhet të ndryshojë”, tha një zëdhënës i Berlinit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




