FMN rrit projeksionet, ekonomia shqiptare do të ruajë rritjen me mbi 3.4% për dy vitet në vijim

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka rishikuar projeksionet e tij për rritjen ekonomike të Shqipërisë, duke parashikuar një ecuri të qëndrueshme në mes të një ambienti global të paqëndrueshëm.
Sipas raportit të Tetorit “World Economic Outlook”, ekonomia shqiptare pritet të zgjerohet me 3.4% në vitin 2025 dhe të shënojë një rritje të lehtë në 3.6% në vitin 2026. Ky parashikim sinjalizon besimin e FMN-së në qëndrueshmërinë e bazave makroekonomike të vendit.
Krahas rritjes, FMN parashikon që inflacioni mesatar të mbetet i kontrolluar. Për vitin 2025, inflacioni pritet të jetë 2.3%, ndërsa në vitin 2026 parashikohet një rritje e lehtë në 2.8%.
Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria pozicionohet në mesin e vendeve me rritje të lartë.
Në një plan më të gjerë, ekonomia globale pritet të rritet me 3.2% në 2025 dhe 3.1% në 2026, por FMN paralajmëron për një mjedis të paqëndrueshëm. Sfidat kryesore mbeten pasiguria politike e tregtare, rritja e proteksionizmit dhe goditjet e mundshme në tregjet financiare.
Për t’i bërë ballë kësaj situate, raporti thekson se politika të qëndrueshme, të besueshme dhe të parashikueshme janë thelbësore për të rikthyer besimin e investitorëve dhe për të ruajtur stabilitetin.
FMN vë në dukje rëndësinë e diplomacisë tregtare, ruajtjes së pavarësisë së bankave qendrore dhe zbatimit të reformave strukturore si prioritete jetike për perspektivën e rritjes.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




