Future2Tech mbyllet me mesazhin: Shqipëria po shkon drejt një ekonomie të bazuar në dije

Ekonomi | 1 vit më parë

Eventi dy-ditor i inovacionit, Future2Tech, i cili mblodhi së bashku startup-e, institucione dhe investitorë, u mbyll duke konfirmuar rritjen e vazhdueshme të ekosistemit digjital në Shqipëri. Samiti, i përshkruar si një “panoramë shpresëdhënëse për të ardhmen digjitale”, theksoi përkushtimin e vendit për t’u pozicionuar si një qendër rajonale e teknologjisë.

Në fjalën e saj përmbyllëse, Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, theksoi se “qeveria po e konsideron inovacionin si një prioritet kombëtar dhe po investon seriozisht në të ardhmen digjitale”.

Ministrja Ibrahimaj vuri në dukje se bashkëpunimi mes institucioneve tregon drejtimin e duhur të vendit.

“Startup Albania Agency, Agjencia për Inovacion dhe Ekselencë dhe Durana Tech Park ishin pjesë e këtij rrugëtimi, që tregon se jemi në drejtimin e duhur. Po ndërtojmë një ekosistem që mbështet të rinjtë, nxit kreativitetin dhe u hap dyert zgjidhjeve teknologjike që i shërbejnë zhvillimit të qëndrueshëm,” u shpreh ajo, duke shtuar se Shqipëria “po shkon drejt një ekonomie të bazuar në dije dhe teknologji.”

Gjatë dy ditëve të eventit, pjesëmarrësit nga fusha si teknologjia, edukimi dhe financat diskutuan mbi sfidat dhe mundësitë, duke sjellë shembuj konkretë të startup-eve shqiptare që po shënojnë sukses edhe në tregun global.

Organizatorët theksuan se Future2Tech nuk ishte vetëm një event, por një pikënisje për bashkëpunime të reja dhe zhvillim ndërsektorial.

Me energjinë e ideve të reja dhe me angazhimin institucional, Shqipëria po synon të pozicionohet gjithnjë e më shumë si një destinacion i rëndësishëm për teknologjinë dhe inovacionin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ky aktivitet konfirmoi mesazhin e qartë se po ndërtohen themelet e një ekonomie të re, me inovacionin si shtyllë kryesore.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme