Gjykata liron të arrestuarin gjatë protestës, ndaj tij vendoset masa “Detyrim për paraqitje”

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “Detyrim për paraqitje” për personin me iniciale E.H., i cili u arrestua pas protestës së zhvilluar më 6 korrik.
Me këtë vendim, gjykata e ka cilësuar të ligjshëm arrestimin e tij, por ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm nga paraburgimi, pasi ndaj tij nuk u caktua masë arresti. E.H. do të duhet të paraqitet në policinë gjyqësore çdo të premte të parë të muajit, në orën 15:00.
Prokuroria e dyshon E.H. për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”.
Sipas Gjykatës së Tiranës, vendimi është marrë pasi u shqyrtuan provat e paraqitura nga Prokuroria, argumentet e mbrojtjes dhe rrethanat personale të të arrestuarit.
Gjykata bëri të ditur se nuk mund të japë më shumë detaje për çështjen, pasi hetimet janë ende në zhvillim dhe duhet të ruhet sekreti hetimor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




